Sulmet kibernetike ndaj sistemeve digjitale në Shqipëri, janë në hetim nga Prokuroria e Tiranës.
Mësohet se prokuroria ka kërkuar informacion me anë të letërporosive 22 shteteve lidhur me këtë sulm, por vetëm 3 prej tyre kanë kthyer përgjigje. Shtetet që i janë përgjigjur dhe kanë përcjell informacion tek oficerët e kontaktit janë Danimarka, Holanda dhe Singapori.
Mirëpo, ‘Faxnews’ raporton se këto shtete nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor për të zbuluar personat që kanë ndërmarrë këto sulme. Në përgjigjet e tyre këto shtete thonë se IP janë të pagjurmueshme dhe të lëvizshme. Gjatë fazës së hetimeve që prokuroria ka ndërmarrë deri më tani është zbuluar se hakerat fillimisht kanë tentuar të sulmojnë drejtpërdrejtë sistemet e AKSHI-it, por dështuan.
Më pas, ata përdorën sistemin administrata.al për të penetruar dhe hyrë në faqet e qeverisë duke goditur disa prej sistemeve digjitale të vendit dhe përfituar të dhëna sensitive. Deri me tani për këtë çështje nën hetim janë marrë vetëm 5 persona, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Të akuzuarit janë punonjës në sektorin e IT-së në Departamentin e Administratës Publike lidhur me sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë.