Një ish-roje sigurie në ambasadën britanike në Berlin është dënuar sot në Londër me 13 vjet e 2 muaj burg për spiunazh në emër të Rusisë.
David Balladine Smith, 58 vjeç, i cili u deklarua fajtor për mbledhjen e informacionit të klasifikuar për më shumë se tre vjet, duke përfshirë komunikimet e “klasifikuara” të qeverisë me kryeministrin e atëhershëm Boris Johnson, u kap duke i kaluar dokumente të ndjeshme Ambasadës së Rusisë në Berlin.
Gjykatësi vuri në dukje se akuzat për të cilat Smith u dënua lidheshin me veprimet e tij midis 2020 dhe 2021, por “aktivitetet e tij kishin filluar dy vjet më parë.” Smith pranoi se kishte dërguar dy letra që përmbanin informacione të ndjeshme njerëzve në ambasadën ruse në Berlin.
Gjykatësi Wall tha: “Unë jam i sigurt se në një moment në vitin 2020 keni krijuar një lidhje të përhershme me dikë në ambasadën ruse dhe kjo lidhje ju ka lejuar të kaloni dokumente që keni marrë në mënyrë të paligjshme”.
“Ju jeni paguar nga Rusia për tradhtinë tuaj”, theksoi ai.
Smith u deklarua fajtor në nëntor për tetë akuza në bazë të Aktit të Sekreteve Shtetërore.
Akuzat kishin të bënin me mbledhjen e informacionit që mund të ishte i dobishëm për Rusinë, katër prej të cilave kishin të bënin me një oficer të MI5 që paraqitej si “Dmitry”, një shtetas rus që supozohej se do t’i jepte ndihmë Britanisë.
Në fillim të kësaj jave, Smith tha në gjykatë se i vinte turp për atë që kishte bërë dhe se i fotografoi dokumentet pasi kishte konsumuar shumë birrë./Albeu.com/.