Spitali i Fierit merr “karton të kuq”, kompania “OES Distrimed” përlan 240 milionë lekë pa garë

Tenderët e zhvilluar në sektorin e shëndetësisë dhe infrastrukturës janë kryesisht me shifra të mëdha, prandaj edhe kërkojnë një kujdes të veçante nga autoritetet kontraktuese me qëllin menaxhimin e mirë të parave publike duke nxitur konkurrencën mes kompanive private që kërkojnë të fitojnë kontratën, por edhe kursimin e sa më shumë parave duke marrë një shërbim cilësor.

Pavarësisht se kjo është ajo që çdo drejtues institucioni ofertues duhet të ketë ndërmend kur zgjedh një fitues, duket se drejtuesit e spitaleve as që degjojnë nga ky vesh.

Të lidhura

None found

AlbEu.com denoncoi pak ditë më parë një tender me “flamur të kuq” në Vlorë, ku ishin përlarë 840 milionë lekë nga taksat e qytetarëve pa zhvilluar asnjë garë me njeri-tjetrin, ndërsa sot ndalemi në Fieri.

Spitali Rajonal i Fierit ka zhvilluar një tender me vlerë rreth 240 milionë lekë të vjetra me TVSH me objekt blerjen e “Materiale mjekimi konsumi dhe kirurgjikale per nevoja spitalore”.

Në fund të procedurës së firmosur nga drejtoresha Nevila Shuke, fitues i tenderit shpallet kompania OES Distrimed SHPK me pronarë Orjada Jahon dhe Ermal Rizajn.

Kjo kompani spikat në marrjen e tenderëve pa garë nëpër spitalet shqiptare krahas “Montalit” të Skënder Lusit dhe “Biometric Albania” të Artur Kadaresë.

Duket se disa kompani zhvillojnë një “valle” me taksat e qytetarëve shqiptarë duke mos i “prishur” pazarin njeri-tjetrit në kurriz të fondeve publike, ndërsa fituesi më pas duhet të “merret vesh” me atë që firmos në fund kontratën.

Le të rikthehemi të tenderi i Fierit.

Spitali Rajonal i Fierit ka shpallur një fond limit 19 922 668,00 lekë (të reja pa TVSH). Në këtë tender, edhe pse relativisht i madh dhe që nuk do ndonjë ekspertizë për plotësimin e kushteve të prokuruesit, ka marrë pjesë vetëm një kompani, pikërisht ajo Jahos dhe Rizajt duke e ofruar një çmim 19 875 090,00 lekë (të reja pa TVSH) ose rreth 240 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Spitali i Fierit i jep 240 milione leke te vjetra kompanise OES Distrimed pa gare
Spitali i Fierit i jep 240 milione leke te vjetra kompanise OES Distrimed pa gare sipas Open Procurement Albania

Praktikisht, i bie që kompania OES Distrimed SHPK e ka fituar këtë tender jo vetëm pa garë, por edhe me gati 100% të vlerës së fondit limit.

Duket e çuditshme dhe shumë e guximshme nga ata që marrin dhe ata që firmosin tenderë të tillë, por një realitet në Shqipërinë e vitit 2023.

Jo më kot, Open Procurement Albania e ka shpallur këtë tender “me flamur” të kuq për shkak të mungesës së theksuar të konkurrencës, gjë e cila ka bërë që fituesi të marrë kontratën me gati 100% të fondit limit.

Ky nuk është rasti i vetëm, është një fenomen që po ndodh rëndom nëpër spitalet dhe bashkitë e Shqipërisë, ndërkohë që autoritetet përgjegjëse heshtin teksa fondet publike shpërdorohen në një nivel të tillë. /albeu.com

 

 


Shtuar 18.03.2023 20:33