Specialist tek burgjet, zbulohet polici që dhunoi në Komisariat Aldi Ramën

21-vjeçari Aldi Rama, i cili vrau punonjësin e policisë në Lezhë e më pas u vetëvra teksa po ndiqej nga policia, mësohet se më parë është dhunuar në komisariat.

Ndërkohë është zbuluar emri i punonjësit të policisë së Lezhës, i cili rezulton të jetë marrë i pandehur nga prokurori Françesk Ganaj, për shkak se akuzohet ka dhunuar Aldi Ramën, i cili pas daljes nga burgu vrau me armë zjarri punonjësin e policisë, Saimir Hoxha.

Sipas dosjes hetimore, për Myrteza Mehmetaj aktualisht prokuroria e Lezhës ka ngritur akuzën e “Kryerjes së veprimeve arbitrare”, edhe pse i pandehuri është larguar nga shërbimi në komisariatin e Lezhës dhe tashmë punon si specialist në policinë e Burgjeve, pranë burgut të Fushë-Krujës.

“Gjatë kohës kur Mehmetaj ka qënë me detyrë oficer policie në komisariatin e Lezhës dhe gjatë kohës së procedurave të arrestimit të Aldi Ramës, ka ushtruar dhunë fizike ndaj këtij të fundit. Rasti është ndjekur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, të cilët në atë periudhë kërkuan kryerjen e një ekspertimi mjeko-ligjor ndaj 21-vjeçarit Aldi Rama. Në raportin e ekspertimit, mjekët konstatuan se dëmtimet në trup Rama, i ka pasur si pasojë e dhunës së ushtruar në ambjentet e brendshme të komisariatit Lezhë”, shkruhet në dosje.

Kujtojmë se vetë Aldi Rama në atë kohë akuzonte tre punonjës policie për dhunë në komisariat, megjithëse nuk dinte emrat e tyre.

Nga ana tjetër sjellim në kujtesë se Rama ekzekutoi efektivin Saimir Hoxha gjatë një operacioni anti-kanabis që po zhvillonte ky i fundit në Lezhë, më 29 shtator 2021.

Ai u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, por forcat RENEA ju vunë pas dhe pas më shumë se 5 orë kërkimesh, ai u gjet i vrarë me një plumb në kokë, duke ndërruar jetë në Spitalin e Traumës.