SPAK nisi hetimin e “Call Center”-ave të bursave, çfarë po paralajmëron Artan Hoxha?

Prokuroria e Posaçme nisi sot një hetim për 13 kompani “call center”-ash me qendër në Tiranë pasi dyshohet se kanë mashtruar me shuma të mëdha një numër të konsiderueshëm qytetarësh të Bashkimit Europian.

Punonjës të “call center”-ave që njihen si “call center bursash” telefononin nga zyrat e tyre në Tiranë qytetarët e BE-së duke iu premtuar se nëse investonin shuma të mëdha në bursë apo në kriptomonedha do të siguronin fitime të mëdha më pas i mashtronin dhe zhdukeshin.

Një hetim i tillë u paralajmërua pak ditë më parë në “ABC” nga gazetari Artan Hoxha, i cili i ftuar në studion e “ABC LIVE” u shpreh se call center-at duhet të kalojë në sitë për aktivitetin që kryejnë në Tiranë, pasi ka shumë shtete që kanë ngritur shqetësime për mashtrime.

“Call center-at duhet t’i kalojnë në sitë, ata me cfarë nuk merren. Në Kosovë ndërhyri vetë Gjermania. Call center vendndodhjen ka në Shqipëri, aktivitetin nuk e ka këtu. Shumica i ke në apartamente. Kjo duhet të goditet sepse po bëhemi problem. Janë jashtë kontrollit” tha Hoxha.

I kontaktuar nga Abcnews.al pas hetimeve që nisi SPAK, Artan Hoxha u shpreh se në ditët në vazhdim pritet që të ketë zhvillime të tjera të rëndësishme. “Do të ketë zhvillime për call center-at sepse jemi bërë problem për BE-në” tha më tej ai.

Por cfarë ka dalë deri tani nga hetimet?

Gazetari i “ABC” Ermal Vija raportoi sot se hetimet e SPAK janë duke u kryer në kuadër të organizatës kriminale pas kërkesave nga Gjermania dhe Holanda. Pas ankesave nga qytetarët e tyre, këto shtete kanë filluar hetimet duke verifikuar komunikimet me operatorët e Call Center-ave, nga të cilat kanë zbuluar se bëhej fjalë për IP me qendër në Shqipëri.

Mashtrimi zgjaste për disa javë apo muaj pasi fillimisht viktimës i merrej një shumë e vogël parash dhe më pas nën premtimin për fitime të mëdha bindej që të investonte edhe më tepër.

Në fund, telefonuesi zhdukej duke i marrë të gjitha paratë investitorit nga BE, të cilat kalonin në numrin e llogarisë së kompanisë së call center-ave, nga të cilat operatori shqiptar fitonte përqindje të majme./Abcnews.al/


Shtuar 1.11.2021 17:20