​Sot pritet të votohet propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën

Miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të jetë sot në rend dite në takimin e ambasadorëve të BE-së, në Bruksel.

Në takimin e këtij grupi, të njohur si Coreper, vendimi pritet të miratohet pa diskutim, pasi për përmbajtjen e tij, vendet anëtare të BE-së janë pajtuar më 22 nëntor, në një takim të këshilltarëve për çështje të brendshme dhe drejtësi, shkruan REL.

Teksti është përpiluar nga Çekia, e cila ka udhëheqjen aktuale të BE-së, pas disa takimeve të grupeve punuese dhe diskutimeve dypalëshe me vendet që kanë pasur vërejtje.

Sipas versionit të fundit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka.

Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtatë politikën e saj të vizave me atë të BE-së.

Krahas tekstit për liberalizimin e vizave për Kosovën, është bërë edhe një deklaratë, me të cilën vendeve anëtare të BE-së u kërkohet që të bëjnë çmos që sistemi ETIAS të jetë funksional në datën e caktuar, përkatësisht më 1 nëntor të vitit të ardhshëm.

ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.


Shtuar 30.11.2022 09:14