Sot besimtarët bektashianë festojnë Ditën e Sulltan Nevruzit.
Kryeministri Edi Rama ka uruar këtë mëgjes të gjithë besimtarët për festën e Sulltan Nevruzit.
Nëpërmjet një postimi në facebook, Rama e konsideron datën 22 mars si një ditë të bekuar që simbolizon edhe vetë nisjen e stinës së pranverës.
“Në festën e Sulltan Nevruzit, uroj që pranvera të çelë në zemrat tuaja si vetë kuptimi i kësaj dite të bekuar”, shkruan Rama në Facebook.
Po çfarë është Sulltan Nevruzi?
Novruz që ndryshe njihet si ( Noërouz, Nooruz, Navruz, Nauroz ose Nevruz), në gjuhën perse do të thotë ‘ditë e re’ dhe është festuar për më shumë se 3000 vite. Tradicionalisht ajo nis sapo ndodh ekuinoksi pranveror. Në kalendarin iranian sot është dita e parë e vitit që daton gjithashtu me ikjen e dimrit dhe ardhjen e pranverës.
Novruzi festohet në Lindjen e Mesme, Azinë Qëndrore, Indi, Gjeorgji dhe Shqipëri.
Zakonisht, kjo festë zgjat tre ditë. Besimtarët bektashinj shkëmbejnë vizita tek njëri-tjeri dhe më pas kryejnë ritet fetare. Si një nga festat më të rëndësishme, ata nuk harrojnë të shkëmbejnë dhurata apo vizita nëpër shtëpitë e njëri tjetrit. Përsa i përket tryezës, nuk duhet kurrsesi të mungojë uji, veza, qirinjtë dhe jeshillëqet. Njerëzit ndihmojë ata që në nevojë dhe sipas traditës besimtarët shpërndajnë qumësht dhe sherbet, që simbolizojnë pastrimin e trupit dhe shpirtit.
Në ditët e festës bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose vendosin në hyrje të portave degë ulliri.
Edhe pse në vendin tonë dita e Sulltan Nevruzit nuk festohet me të njëjtin intensitet si në vendet më lart, kjo ditë shënon pushim zyrtar në kalendarin tonë. Përveç kësaj, pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk harrojnë ta festojnë duke shtruar tryezën me ushqimet simbol të 22 marsit.
Pjatat tradicionale të Nevruzit janë byreku me monedhën brenda, që sipas traditës kush e gjen nga pjestarët e familjes e pret një vit i mbarë. Në tryezë nuk duhet të mungojë mishi i pjekur dhe sigurisht ëmbëlsira tradicionale që është sultjashi.
Kjo ëmbëlsirë e cila në bazë të saj ka qumështin që simbolizon qumështin e nënës, orizin që simbolizon bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe.
/albeu.com/