Skandali me plehrat! Pas Durrësit e Fierit, i vendoset zjarri edhe landfillit në Vlorë (VIDEO)

Skenari i Fierit për plehrat po përsëritet edhe në Vlorë. Sot në orët e para të mëngjesit, rreth orës 7 e 30 minuta, një zjarr i madh ka shpërthyer në një fushë të mbetjeve urbane në lagjen “Kushtrim” në Vlorë.

Ky skenar i njohur tashmë edhe në Durrës dhe në Fier, po përsëritet në Vlorë ku dhe sipas autoriteteve, zjarri në këtë landfill është i qëllimshëm.

Burimet nga vendngjarja bëjnë me dije se tymi ka mbuluar gjithë zonën e mbetjeve dhe se në vendngjarje ka mbërritur deri tani vetëm një makinë zjarrfikëse.

Situata duket e  rëndë pasi tymi dhe toksinat kanë mbuluar zonën deri në vendet e banuara.

Çfarë ndodhi në Fier:

Pak muaj më parë në Fier iu vu zjarri plehrave të mbledhura prej 50 vitesh duke shkaktuar një dëm të madh dhe katastrofë mjedisore. Zjarri u aludua që ishte i qëllimshëm ndërkohë dëmi ishte kolosal.

Për shuarjen e flakëve u desh ndërhyrja me botet e ujit të bashkisë dhe forcat zjarrfikëse të Fierit , Patosit dhe Roskovecit.

Ky “incident” solli në vemendje inceneratorin e Fierit, i cili sipas Bashkisë Fier nuk ishte ende në gjendje pune duke kërkuar përshpejtimin e procedurave dhe aktivizimin e tij.

Nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtin skenar, por zjarrëvëniet e qëllimshme tregojnë një “nevojë” dhe përshpejtim të rrethanave për të vënë në punë inceneratorët në vend. /albeu.com/