Superskandal me doganat shqiptare. Drejtori i përgjithshëm Genti Gazheli ka promovuar në detyrë zyrtarë të cilët po hetohen për kontrabandë dhe krim të organizuar nga drejtësia Greke.
Artur Sejati me detyrë aktuale, drejtor i hetimit doganor rezulton se është në ndjekje penale nga drejtësia greke, pasi në bashkëpunim me katër persona të tjerë janë ndaluar nga policia në 30 qershor të vitit 2016, teksa shoqëronin dy kamionë me mallra të grabitura në vendin fqinj. Mbi të rëndojnë akuza të rënda si ajo e krijimit të grupit të strukturuar kriminal, vjedhje në bashkëpunim me shuma të rënda dhe kontrabandë. Për t’u theksuar është se në kohën e këtij krimi ai dhe tre të akuzuar të tjerë ishin zyrtarë të doganave shqiptare.
E ndërsa procesi është në vazhdim, mësohet se Sejati, i cili është emëruar nga Genti Gazheli, vazhdon në të njëjtin vend punë, atë të drejtorit të hetimit doganor për gjithë Shqipërinë për të luftuar kontrabandën dhe vepra të tjera penale në territorin doganor shqiptar. Përveç drejtorit të hetimit doganor, nën hetim janë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të doganave, Klandi Malaj, Mirel Beshiku dhe Elton Gishti.
Skandali thellohet edhe më tej në institucionin pasi me firmën e Genti Gazhelit këta zyrtarë të doganave janë promovuar në detyrë muajt e fundit. Kështu sipas dokumenteve që News24 disponon Klandi Malaj, nga specialist hetimi është emëruar në 20 prill të këtij viti përgjegjës i zyrës së Hanit të Hotit.
Po në 20 prill të këtij viti Elton Gishti nga specialist hetimi është emëruar përgjegjës i zyrës mjaft të rëndësishme të sheshit të trageteve në Durrës.
Ndërsa Mirel Beshiku me urdhër të Genti Gazhelit me 27 qershor të 2022 nga përgjigjes sektori të drejtoria e tarifës ka kaluar specialist tek zyra e mbikëqyrjes te magazinave fiskale në Fier.
Sipas dokumenteve nga drejtësia greke Artur Sejati së bashku me personat e tjerë të cilët në momentin e ndalimi kanë deklaruar se janë punonjës dogane, shoqëronin kamionë me makineri bujqësore, traktorë, pajisje elektroshtëpiake dhe sende te tjera, te cilat pasi vidheshin ne Greqi shiteshin në Shqipëri.
Kontrabanda e drejtorit të hetimit dhe personave te tjerë është verifikuar nga akuza greke, e cila të gjitha provat dhe argumentet i ka depozituar në gjykatë. E ndërsa Sejati ndodhet në gjykim në Greqi, ai vazhdon punën i pashqetësuar në doganat shqiptare dhe drejtori i përgjithshëm Genti Gazheli, i ka besuar atij ndoshta sektorin më të rëndësishëm, atë të hetimin doganor. Kurse zyrtarët e tjerë të doganës të përfshirë në këtë rast kontrabande në Greqi po promovohen na detyra, po me firmë të Genti Gazhelit. /BW