“S’ka fonde tërmeti pas zgjedhjeve”, Duma me banorët në Rrogozhinë: Qeveria i gënjeu (FOTO LAJM)

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka vizituar disa familje të goditura nga tërmeti i 26-Nëntorit në Rrogozhinë.

Kur kanë kaluar dy vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, banorët e prekur nga ajo fatkeqësi natyrore vijojnë të shprehin pakënaqësi për procesin e rindërtimit dhe menaxhimin e fondeve për tërmetin.

Duma ishte në lagjen Nr.1 në Rrogozhinë në një familje të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, e cila flet për shpërblime qesharake të ofruara nga ana e qeverisë.

“800 mijë na dhanë, morëm blemë ca bojë ca gjëra kështu se kjo na rrjedh e gjitha, janë dollapët aty”, shprehet një qytetar.

Qytetarët flasin për abuzime me fondet e tërmetit pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Sipas nënkryetares së PD, skema e abuzimit me fondet u paralajmërua dhe vijon të denoncohet nga selia blu.

“E kemi thënë që ata po gënjehen me shifra të mëdha, e pastaj s’do të japin asgjë”, tha Duma.

Sipas Partisë Demokratike, qeveria shqiptare ka dështuar me rikuperimin e dëmeve të tërmetit./albeu.com/