Reshjet e shiut, që në orët e para të mëngjesin e sotëm, kanë krijuar probleme në lëvizjen e mjeteve në Rrugën e Arbrit.
Vërshimi i ujit ka përmbytur urën e Gjoricës, në afërsi të urës së Çerenecit. Drejtuesit e mjeteve janë përballur në befasi me praninë e ujit, ndërsa shkak dyshohet të jetë mosfunksionimi si duhet i hapsirave të kullimit.
Ndërkohë në by-pasin e Murrizit ka rënie të vazhdueshme të gurëve, por që nuk janë bërë shkak për bllokimin total të qarkullimit të automjeteve.
Nga ana tjetër strukturat e mbrojtjes civile në Qarkun Dibër, ju bëjnë apel banorëve që të njoftojnë për çdo problematikë që mund të shfaqet gjatë orëve në vijim, teksa pritet rritja e intensitetit të reshjeve të shiut.