Selami Jenisheri i cili arriti të siguronte një mandat në Kuvend, pas diegies së këtyre të fundit nga opozita gjithmonë është komentuar për deklaratat që bën.
Këtë radhë, Jenisheri ka folur për zgjidhjen e këtyre ditëve të nxehta.
Sipas Jenisherit, në mënyrë që qytetarët të përballojnë sa më lehtë këtë të nxehtë afrikan që ka pushtuar vendin tonë, duhet të kenë një qeveri më të përgjegjshme, në mënyrë që të firmosë ndihmat humanitare që Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka vënë në dispozicionin tonë, në mënyrë që qytetarët të munden të blejnë kondicionerë.
“E vetmja mënyrë për të përballuar këtë temperaturë të lartë është të kemi një qeveri të përgjegjshme, e cila ndihmat humanitare që janë vënë në dispozicion të shqiptarëve nga Organizata e Kombeve të Bashkuara prej më shumë se 140 milionë euro, t’ia japi popullit që të kenë kondicionerë dhe ta kalojnë këtë të nxehtë më kollaj”, thotë Jenisheri në një prononcim për ‘Top Channel’.
Ndërkohë, i pyetur nëse duhet të hiqen nga Parlamenti kondicionerët dhe t’u shpërndahen qytetarëve, Jenisheri tha se kjo nuk mund të ndodhë sepse ai institucion duhet ta ketë atë komoditet.
“Jo, kondicionerët në parlament janë në gjendje pune non stop dhe ai institucion duhet ta ketë atë komoditet, por ne si deputetë duhet të punojmë për ata njerëz që janë në minimumin jetik dhe ndihmat OKB na i ka vënë në dispozicion dhe ne nuk i firmosim”, deklaroi Jenisheri.