Si do t’i ndikojë furnizimet ndalimi i naftës së papërpunuar ruse?

Reuters

Importet e naftës ruse në Bashkimin Evropian ranë në 1.4 milion fuçi në ditë në muajin tetor, nga 2.5 milionë fuçi në ditë sa kanë qenë në muajin janar.

Të dhënat janë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji – IEA.

India, Kina dhe Turqia e kanë kompensuar rënien e kërkesës për naftën ruse, duke i shtuar blerjet e tyre për rreth 1.2 milion fuçi në ditë, verën e kaluar, bën të ditur IEA në raportin e saj mujor për tregun e naftës. Rusisë do t’i duhet t’i ridrejtojë 1.1 milion fuçi të tjera në ditë në Azi ose destinacione të tjera deri më 5 dhjetor. Nga kjo datë fillon ndalesa e BE-së për importet e naftës së papërpunuar ruse.

Në muajin tetor, Rusia ka dërguar në Bashkimin Evropian 31 për qind të eksporteve të naftës së papërpunuar. Kjo shifër ka qenë 50 për qind përpara se ushtria ruse të niste pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt, thotë IEA.

Furnizimet alternative
Sipas kësaj agjencie, BE-ja e ka kompensuar zvogëlimin e importeve të naftës ruse duke i rritur furnizimet nga Lindja e Mesme, Afrika Perëndimore, Norvegjia, Brazili dhe Guajana.

BE-ja ka thënë më parë se Shtetet e Bashkuara dhe Kazakistani mund të ndihmojnë pjesërisht për zëvendësimin e rreth 1.1 milion fuçive të naftës ruse që do të humben në ditë, pas 5 dhjetorit.

Norvegjia planifikon, gjithashtu, të rrisë prodhimin nga fusha më e madhe e naftës në Evropën Perëndimore, Johan Sverdrup, në dhjetor.

Zhvillimi i Fazës 2 në këtë fushë mund të shtojë rreth 200.000 fuçi nafte në ditë kur të arrijë kulmin vitin e ardhshëm, ka thënë operatori i saj, Equinor.

Komplikimet
Një sasi e naftës ruse do të vazhdojë të rrjedhë në BE përmes tubacioneve, pasi ndalesa do t’i përjashtojë disa rafineri pa dalje në det, që gjenden në Evropën Lindore.

Gjermania, Holanda dhe Polonia kanë qenë importueset kryesore të naftës ruse në Evropë vitin e kaluar, por të gjitha kanë kapacitete për të importuar naftë të papërpunuar përmes detit.

Varësinë e BE-së nga Rusia e kanë përforcuar edhe kompani të tilla ruse si Rosneft dhe Lukoil, që kontrollojnë disa nga rafineritë më të mëdha të bllokut.

Gjermania, megjithatë, ka marrë kontrollin e rafinerisë Schwedt në pronësi të Rosneftit, që përmbush rreth 90% të nevojave të Berlinit për karburante, ndërsa Italia po diskuton opsionet për rafinerinë ISAB në pronësi të Lukoilit në Sicili./REL


Shtuar 17.11.2022 07:34