Shtyrja e negociatave për Presidentin, Alibeaj: Transparenca, ilaçi më i mirë kundrejt çdolloj pazari

Pas shtyrjes së takimit për çështjen e emrit të Presidentit të ri, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi se kërkon që çdo diskutim të bëhet para mediave, pasi sipas tij transparenca është i vetmi “ilaç për çfarëdo lloj pazari”.

Alibeaj ndërkohë ka ftuar gazetarët që nesër në orën 10:00, kur do të zhvillohet takimi me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, të ndjekin zhvillimet nga afër.

“E patë si ishte lëvizja në orën 6 për tu mbledhur me kolegët në takim. Çdo diskutim për presidentin të bëhet publik në media sepse unë besoj vetëm transparenca është ilaçi më i mirë kundrejt çdolloj pazari që të gjithë e duan. Nesër në orën 10 jeni të ftuar për të parë diskutimet që ne mbajmë qëndrimin tonë. Platforma jonë është e logjikshme dhe i shërben interesit publik, një proces që të jetë në shërbim të shqiptarëve. Të ketë një proces parlamentar që të aspirojë shqiptarët. Nesër ajo sallë është e hapur për këdo që do të diskutojë në sy të publikut, edhe Mediu dhe Doda kanë të drejtën e tyre për të diskutuar në sytë e publikut për atë”, ka thënë Alibeaj./albeu.com