Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Jola Hysaj përmes një deklarate për mediat u shpreh se PD i bën thirrje AMF-së që të ndërhyjë menjëherë dhe të bëjë transparencë për rritjen e çmimit me 30% të siguracionit të makinës.
Deklarata e sekretares së Marrëdhenieve me Publikun në PD, Jola Hysaj:
Rritja me 30% e çmimeve të sigurimeve të detyrueshme për automjetet është një barrë e rëndë për secilin prej jush sepse pagat i keni të ulëta dhe kostot po u rriten çdo ditë.
Shqipëria ka sigurimet më të shtrenjta në rajon. Dhe ja ku vjen një shtesë tjetër për kurrizin tuaj. Ky është një tregues i qartë i braktisjes së qytetarëve nga institucionet që duhet t’i mbrojnë.
Më të prekurit nga kjo rritje do të jenë shoferët e rinj, ata të cilët e kanë edhe më të vështirë ta përballojnë. Ky është një taksim i dyfishtë për ta dhe prindërit e tyre.
Në emër të Partisë Demokratike i drejtohem Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF):
1. Ndërhyni menjëherë: Ndalni abuzimet dhe rritjet e pajustifikuara të çmimeve. Qytetarët nuk mund të jenë burim fitimi për kompanitë e sigurimeve.
2. Publikoni të vërtetën: Bëni transparencë të plotë mbi arsyet e kësaj rritjeje. Qytetarët kanë të drejtë të dinë përse po paguajnë çmime që janë rekord në rajon.
3. Mbroni qytetarët në nevojë: Krijoni masa për të lehtësuar barrën e atyre që janë më të prekur nga rritja e kostove, sidomos të rinjtë dhe të pamundurit.
4. Vendosni përgjegjësi: Shmangni propagandën dhe përqendrohuni në detyrën tuaj kryesore – mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe jo të grupeve të interesit.
Rritja e çmimeve të sigurimeve është një simptomë e mungesës së plotë të mbikëqyrjes dhe planifikimit. Në vend që të mbështesin qytetarët, institucionet kanë zgjedhur të qëndrojnë indiferente, duke i lënë të përballen me një treg që vepron sipas dëshirës.
Sot jeni përballë një qeverie që bën propagandë në vend që të marrë përgjegjësi. Që u rrit çmimet nga buka deri te siguracioni i makinës, që takson jetën dhe vdekjen, që u merr shpirtin.
Të mos i lejojmë të vazhdojnë në kursin e varfërimit tuaj dhe pasurimit të vetes dhe oligarkëve të oborrit.
Më 11 maj vota juaj bën ndryshimin e këtij kursi!
Përdoreni për të shpëtuar Shqipërinë dhe veten nga shushunjat gjakpirëse.