Shtohet në treg mungesa e djathit të lopës, çfarë pritet të ndodhë në pranverë ?

Prodhuesit e produkteve të bulmetit vijojnë të jenë në vështirësi për gjendjen e qumështit të lopës.

Rënia e prodhimit të qumështit të lopës nga fermat aktualisht ka shtuar në tregje mungesën e djathit të lopës. Fabrikat pohojnë se me vështirësi po plotësojnë kërkesën me qumësht importi. Kërkesa nga konsumatori shfaqet me rënie për shkak të rritjes së çmimeve.

Të lidhura

None found

Përpunuesit e qumështit parashikojnë edhe rritje tjetër të çmimeve të qumështit të deles dhe të dhisë deri 30% më shtrenjtë nga mars 2023 për shkak të kërkesës së lartë dhe ofertës së ulët. Shtrenjtimi i çmimit të qumështit pritet të rrisë sërish çmimet e bulmetit.

Donjaldo Hoxha drejtori i shoqatës Industria e Përpunuesve së Qumështit pohoi për Monitor se aktualisht në frigoriferët e produkteve të stazhinuara të fabrikave prodhuese ka më pak sasi të djathit të lopës krahasuar me vitin e kaluar. “Kjo ka ardhur si pasojë e sasisë së ulët të qumështit të grumbulluar në muajt e verës, por gjithashtu edhe për shkak se prodhuesit në këtë periudhë iu përgjigjën kërkesës më lartë për produkte në periudhën e sezonit turistik. Vështirësitë janë paralajmëruar prej muajsh nga fabrikat e përpunimit të qumështit dhe gjendja e tanishme është si rezultat i mosmarrjes së masave nga institucionet përgjegjëse”.

Fabrikat e qumështit thanë për Monitor se aktualisht gjenden në vështirësi për gjetjen e qumështit të lopës edhe pse çmimi i tij është rritur 30 deri 40% . Nga fermat e vogla çmimi i qumështit të lopës shitet 70 lekë për litër, ndërsa nga fermat më të mëdha 80 lekë për litër.

“Tashmë u bë 1 vit që në treg qumështi i lopës gjendet me vështirësi. Në muajt korrik -gusht kemi qenë me mungesë të djathit të stazhinuar. Kjo ka ardhur për shkak të rënies së numrit të fermave të vogla. Edhe pse fermat e mëdha të mbajtjes së lopëve janë rritur në raport me reduktimin e fermave të vogla zgjerimi i tyre nuk ka efekt te prodhimi. Rënia e fermave të vogla ka ardhur për shkak të emigrimit të rinjve. Kërkesa për djathë lope po plotësohet me vështirësi me qumësht nga jashtë, pasi edhe qumështi i importit po gjendet me vështirësi”, pohoi një nga fabrikat prodhuese në vend.

Sasia e qumështit të lopës së grumbulluar në 2021 në raport me 2020 ishte 7% më pak sipas të dhënave të INSTAT. Vitin e kaluar rënia e qumështit të grumbulluar krahasuar me periudhën para pandemisë, vitin 2019 ishte 25%.

Përveç rënies së prodhimit të qumështit të lopës që gjendet në çdo sezon, përpunuesit parashikojnë vështirësi edhe në gjetjen e qumështit të deles dhe dhisë me prodhimin e ri të pranverës. Kërkesa e lartë për qumësht sipas parashikimeve të bizneseve mund të sjellë një tjetër rritje të çmimit të qumështit të deles dhe dhisë deri 30%. Nëse çmimi do të rritet kjo do të detyrojë përpunuesit të shtrenjtojnë çmimit e bulmetit, çka sipas tyre riskon uljen e konsumit./Monitor


Shtuar 14.11.2022 07:29