“Shteti Bektashi” mbetet padyshim një ndër temat më të “nxehta” të ditëve të fundit në opinionin publik. Në lidhje me këtë çështje, gazetari Blendi Fevziu ka zhvilluar një lidhje direkte për Klan News. Gjatë fjalës së tij, Fevziu ka theksuar se nëse ky institucion funksionon vetëm për bektashinjtë shqiptarë (një avantazh që nuk e kanë besimet e tjera fetare), krijon problem dhe përçarje në Shqipëri.
Blendi Fevziu: Unë e pashë që bektashinjtë e Turqisë dolën kundër. Dje pashë një deklaratë të tyre. Nuk besoj që Turqia ta pranojë këtë sepse kjo krijon njëlloj çoroditje dhe në Turqi ka realisht bektashinj. Pra, pyetja e parë është kjo, nëse ti krijon një shtet të të gjithë bektashinjve botërorë, a do ta njohin për shembull bektashinjtë e Turqisë që janë më afër këtë shtet? Nëse ata nuk e njohin, çfarë vlere ka një shtet që nuk ka asnjëlloj impakti, centralizimi në raport me besimtarët bektashinj në botë?
Drini Zeqo: A mund të krijohet tension tek komunitetet e tjera fetare kjo?
Blendi Fevziu: Nëse në Shqipëri krijohet një institucion Bektashi që të marrë bekimin e të ketë brenda tij të gjithë bektashinjtë botërorë, siç është Vatikani me katolikët, kjo nuk do të kishte asgjë të keqe, por përkundrazi, do ta vendoste Shqipërinë në qendër të vëmendjes të kësaj liste. Nëse ky shtet funksionon vetëm për bektashinjtë shqiptarë, të cilët kanë një avantazh që nuk e kanë besimet e tjera fetare, kjo natyrisht që krijon përçarje dhe problem në Shqipëri.