Pasi shqiptarja Klodiana Çela plagosi me armë zjarri ish-partnerin e saj grek dhe tentoi t’i merrte vajzën me forcë, ka reaguar gruaja e tij, e cila u shpreh se prej kohësh jetonin me frikë prej saj.
Bashkëshortja e mjekut grek Jorgo Neos, tha se ndodhej në Zvicër në momentin kur ndodhi ngjarja. Duke folur për gazetarët në Chalandri ajo ka theksuar se ajo dhe i shoqi i trembeshin kësaj situate.
“Ajo grua është një psikopatë. Ishte shumë e rrezikshme. Gjykata kishte aq shumë prova ndaj saj por nuk na mbështetën. Ajo nuk lejohej të kishte kontakt me fëmijën e saj. Burri im ka kryer dy operacione deri më tani dhe është në gjendje kritike për jetën”, tha ajo në gjendje mjaft të tronditur.
49-vjeçarja shqiptare besonte te karta “Tarot”, pasi në momentin e arrestimit në makinën e saj, përveç tre thikave u gjetën karta “Tarot” dhe një broshurë e vogël me titull “Sekretet e autorit. Broshura kishte shënime të shkruara me dorë. Në faqen e saj të parë shkruhej “Arti i hamendjes së tarotit zbulon Arkanën e Madhe me hapjen e kryqit tradicional. Merrni përgjigjet që kërkoni në dashuri, karrierë dhe financa”.
Policia tashmë është në kërkim të personit që i dha 49-vjeçares shqiptare armën me të cilët ajo qëlloi ish-partnerin grek, 68-vjeçar me profesion okulist. Shqiptarja duket se ishte e fiksuar me të dhe të shoqen angleze. Ajo kishte shpërndarë në rrjetin e saj social Facebook bisedat personale që shkëmbente me mjekun në lidhje me kujdesin e vajzës së tyre 13-vjeçare.
Çela pretendon se ka rënë viktimë e abuzimit nga çifti, të cilët kishin edhe kujdestarinë e vajzës që ajo kishte pasur nga lidhja e shkurtër me mjekun grek. Ajo nuk e pranoi asnjëherë vendimin e drejtësisë për të voglën e tyre në favor të babait të saj. 13-vjeçarja po monitorohet nga psikologët, pasi pa gjithë ngjarjen e rëndë dhe ishte pranë të atit në ato momente kritike./albeu.com/