Pushimet e verës po afrojnë dhe për t’u ofruar pushuesve informacione lidhur me pastërtinë e ujërave të deteve, të liqeneve apo të lumenjve Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) kontrollon rregullisht cilësinë e ujit në vendet e Evropës.
Të dhënat e raportit të fundit të EEA-së (20.06.2025), u referohen analizave të bëra në 22,000 ujëra natyrore-bregdetare, liqenore dhe lumore – në 27 vendet e Bashkimin Evropian si dhe në Shqipëri dhe Zvicër.
Të lidhura
None found
Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, ujërat bregdetare kanë përgjithësisht cilësi më të mirë se ato të lumenjve ose të liqeneve.
Cilësia më e mirë e ujërave u konstatua në Qipro, Bullgari, Greqi, Austri dhe Kroaci. Në këto pesë vende 95% ose më shumë e ujërave natyrore kanë cilësi të shkëlqyer.
Në Qipro, e cila kryeson renditjen për cilësinë e ujërave, EEA-ja i vlerësoi 97.6 përqind të ujërave si të shkëlqyera.
Kurse Austria ra këtë vit nga vendi i dytë në të katërtin me 95.8 përqind të ujërave të lumenjve dhe të liqeneve të vlerësuar me “cilësi uji të shkëlqyer”. Vitin e kaluar kjo shifër ishte 96.9 përqind.
Shumica e ujërave natyrorë në Evropë, janë në një “gjendje të shkëlqyer” nga pikëpamja bakteriologjike.
Megjithatë, ndotja kimike e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore mbetet e konsiderueshme dhe mund të përkeqësohet nga ndryshimet klimatike, vuri në dukje Agjencia e Mjedisit.
Shqipëria renditet e fundit
E dobët është cilësia e ujërave edhe në Hungari, Estoni dhe Poloni. Shqipëria është në fund të listës.
Vetëm 41.2 përqind e 119 ujërave të analizuara të deteve, të liqeneve apo të lumenjve në Shqipëri morën “notë kaluese” nga EUA. 16 përqind e tyre morën vlerësimin “shkëlqyeshëm”.
“Është e domosdoshme të identifikohen burimet e ndotjes në zonat e pellgut të këtyre ujërave dhe të zbatohen masa të integruara për menaxhimin e ujit për të rikthyer cilësinë e ujit në nivelin minimal të nevojshëm për t’u larë”, kërkon EEA.
Raporti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit, kufizohet në matjen e dy parametrave që ndikojnë ndaj shëndetit të atyre që lahen.
Agjencia mat përqindjen e baktereve intestinale coli, e njohur më mirë si E. coli, dhe të enterokokëve në ujë.
Të dyja mund të shkaktojnë sëmundje infektive tek njerëzit dhe tek kafshët. Ndotësit kimikë nuk janë pjesë e monitorimit të ujërave të deteve, të liqeneve apo të lumenjve./DW
