Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka zbatuuar vendimin e Gjykatës për të pezulluar nga detyra dhe për t’i ndaluar daljen jashtë vendit një efektivi policie në Divjakë. Bëhet fjalë për inspektorin me inicialet B.D. 30-vjeç, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në shpërndarjen të lëndëve narkotike.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zbatuar urdhërin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për punonjësin e policisë Inspektor B.D., 30-vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Divjakë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Nga veprimet hetimore u dokumentua se punonjësi i policisë, ka qenë i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike”, – thuhet në njoftimin e AMP-së.
Gjithashtu, me vendim gjykate është pezulluar nga detyra dhe një efektiv policie në Berat, A. Ç., 57-vjeç, i dyshuar për shpërdorim detyre për shkak të lejimit të ndërtimeve pa leje në këmbim të ryshfetit.
“Masa e sigurimit personal caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësin e policisë A. Ç., 57 -vjeç, me detyrë Ndihmës specialist i policimit në komunitet, në Komisariatin e Policisë Berat, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Nga hetimet e kryera është dokumentuar konstatimi i disa rasteve të ndërtimeve pa leje në Njësinë Administrative Velabisht, zonë përgjegjësie e këtij punonjësi policie, i cili ka lejuar vijimin e ndërtimeve të paligjshme, kundrejt përfitimit të vlerave monetare”, – thuhet në njoftimin e AMP-së.