Shkatërrohen dy grupe kriminale në Tiranë, 20 të arrestuar. Sekuestrohen makina, para, heroinë dhe kokainë

Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës ka dhënë detaje lidhur me operacionin “Harta” në kuadër të të cilit u arrestuan 20 persona.

Drejtori Tonin Vocaj në një konferencë për shtyp së bashku me Zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar, Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë dhe shefin e Sektorit të Krimit të Organizuar, bëri me dije se u goditën dy grupe që shpërndanin lëndë narkotike kanabis, heroinë e kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, në lokale nate si dhe afër shkollave.

Hetimi zgjati tre muaj dhe policia arriti të siguronte  prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të dy grupeve që përbëheshin nga 24 persona.

Të arrestuarit

Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit:

Q,. 39 vjeç , D. I., 23 vjeç 3. R. L., 22 vjeç, E. H., 25 vjeç, D. Ç. 31 vjeç, E. M., 60 vjeç, F. B., 37 vjeç, M. K., 35 vjeç, M. Gj., 31 vjeç, M. H., 39 vjeç, M. T., 31 vjeç, P. Sh., 40 vjeç, E. Xh., 47 vjeç, A. Ll., 45 vjeç, A. Xh., 51 vjeç, I. L., 26 vjeç, M. V., 44 vjeç, F. P., 25 vjeç, E. K., 35 vjeç, J. H., 32 vjeç.

U shpallën në kërkim 4 persona të tjerë

Çfarë u sekuestrua

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kilogramë e 120 gramë kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, shuma parash rreth 5 miljonë lekë të vjetra, 1700 euro, 11 automjete dhe 29  aparate celulare.

Çfarë u zbulua nga hetimet

Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas  në bashkëpunim me njëri-tjetrin vepronin të ndarë në grupe të vogla  dhe shpërndanin lëndë narkotike në zona të ndryshme të Tiranës dhe Kamzës, afër shkollave, lokaleve të natës e ambienteve të tjera të frekuentuara nga të rinjtë.

Po nga hetimet rezulton se pjestarët e këtyre grupeve kriminale përdornin mesazhe të koduara dhe kryesisht qarkullonin me automjete të transportit publik për të shmangur kontrollet e befasishme të Policisë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve  në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë  e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë veprimet hetimore për  dokumentinin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2023 janë finalizuar 5 procedime proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë, janë  mbi 6 kilogramë kokainë e heroinë dhe rreth 80 kilogramë kanabis, si dhe janë vënë në pranga mbi 20 persona ./Albeu.com/


Shtuar 22.03.2023 11:20