Shkaktoi aksidentin me 4 viktima, 22-vjeçari ishte gjobitur disa herë për shkelje rregullash

Detaje të reja janë zbuluar nga aksidenti tragjik që i mori jetën ne vend 4 anëtarëve të familjes Gushi në aksin Vlorë-Levan, ku një makinë luksoze tip “Audi” u përplas me makinën e tyre tip “Toyota”.

Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra mëson ekskluzivisht se makina shoferi i “Audit”, Igli Madani, kishte tre gjoba në historikun e makinës, të marra për shkelje të rënda. Konkretisht për parakalime të gabuara dhe për semafor të kuq. Të njëjtat burime bëjnë me dije se makina luksoze ishte në emër të babait të Iglit, biznesmenit Bashkim Madani.

Mësohet se automjeti që drejtohej nga Igli Madani vetëm 22 vjeç, ishte me shpejtësi tepër të madhe në momentin që u përplas me makinën tip “Toyota” ku udhëtonte familja Gushi.  Shoferi i “Audit” mbeti i dëmtuar lehtë bashkë me pasagjerët Fabio Lamaj, 21 vjeç dhe 24-vjeçari Glorian Selimaj.

Ndërkohë sonte në mbrëmje në “Radarin informativ” në ABC, në orën 21:00 do te jetë e ftuar gazetarja Xhensila Kodra, ku do të publikohen detajet e para nga ekspertiza e aksidentit tragjik që u mori jetën familjes Gushi./abcnews.al


Shtuar 25.06.2021 17:45