Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se shërbimi i detyrueshëm ushtarak mbetet një opsion për të ardhmen, por aktualisht institucionet kanë vlerësuar se modeli i mbrojtjes gjithëpërfshirëse apo “mbrojtjes totale” është më funksional për vendin.
Kurti përmes një konference për media ka thënë se ky model i ngjan atij të Finlandës dhe vendeve baltike, ku qytetarët nuk trajnohen vetëm në mënyrë masive ushtarake, por përgatiten për role dhe detyra konkrete në raste emergjencash, fatkeqësitë natyrore apo lufte të armatosur.
Të lidhura
None found
“Kjo është një temë e gjatë, por mos harroni çfarë kemi bërë dhe kjo nuk do të thotë që s’do ta bëjmë një ditë. Por tash për tash kemi vlerësuar se është shumë më e mençur të kemi mbrojtje gjithëpërfshirëse apo mbrojtje totale, një model që i ngjan atij të Finlandës apo vendeve Baltike”, tha Kurti.
Ai shtoi se ky koncept shmang krijimin e një force të madhe ushtarake që më pas kërkon strukturim dhe pajisje të shumta, duke u fokusuar në ndarjen e funksioneve dhe detyrave konkrete për qytetarët në situata të ndryshme rreziku.
“Në vend të kësaj përcakton funksione, detyra konkrete dhe vende të caktuara për qytetarët e Republikës në rast të rreziqeve të ndryshme, nga fatkeqësitë natyrore deri te lufta e armatosur”, u shpreh ai.
Kryeministri bëri të ditur se ky sistem do të kompletohet edhe me programe të tjera shtesë, përfshirë një model të ri për shkollat e mesme të quajtur “edukimi për siguri”, i frymëzuar nga shembulli i Polonisë.
Sipas tij, ky program do t’u mundësojë të rinjve të mësojnë reagimet e duhura në raste emergjencash, fatkeqësish natyrore apo konfliktesh.
Kurti paralajmëroi gjithashtu krijimin e rezervës vullnetare, ku qytetarët që do të bëhen rezervistë të FSK-së do t’i kenë pajisjet e tyre të ruajtura në adresat e përcaktuara nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
“Do ta kemi edhe rezervën vullnetare e cila mundëson që qytetarët e Republikës që do të bëhen rezervista të FSK-së t’i kenë pajisjet nga çizmet deri tek arma e tyre në një adresë të caktuar te FSK-ja. Unë besoj që kjo çfarë po bëjmë është shumë më e mirë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak”, deklaroi Kurti.
