Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama, duke folue nga Asambleja Kombëtare e PS, sulmoi hapur drejtësinë, lidhur me sekuestron për Portin e Limionit në Sarandë.
Rama e cilësoi një vendim absurd dhe arbitrar, duke thënë se e gjitha lidhet me mendësinë e një hetuesi.
Në një deklaratë ditën e sotme, Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se ka sulmuar SPAK-un me deklaratat e tij lidhur me Portin.
Deputeti demokrat, Arbi Agalliu tha se sulmi ka qëllim të mbrojë klientët e qeverisë.
Ai gjithashtu tha se PD mbështet organet e drejtësisë, sidomos SPAK, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Deklarata e plotë e Arbi Agalliut
Partia Demokratike ka denoncuar prej kohësh faktin që një pjesë e mirë e politikës së vjetër, pikërisht ata të cilët kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve, i ushtrojnë presion sistemit të drejtësisë e veçanërisht SPAK!
Rasti i fundit është i kryeministrit Rama, i cili në fjalën e mbajtur në Asamblenë e PS-së, tha se vënia nën sekuestro preventive të planit të investimit për portin e Limionit në Sarandë, është absurde.
Faktet kanë treguar se në emër të investitorëve strategjik kanë përfituar klient të qeverisë apo dhe pjesëtarë të saj sikurse është rasti i ish ministres Xhaçka!
Ndaj çdo sulm kundër SPAK bëhet për të mbrojtur klientët e qeverisë dhe aferat korruptive të saj lidhur me investimet strategjike.
Për më tepër kjo nxit dhe hap rrugë që edhe krimi i organizuar të bëj të njëjtën gjë. Kjo u evidentua disa dite më parë edhe nga drejtuesi i SPAK!
Partia Demokratike mbështet pa kushte sistemin e drejtësisë e sidomos SPAK të vijojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Partia Demokratike mbështet dhe inkurajon çdo hetim të thelluar sidomos kundër korrupsionit të politikanëve.
/albeu.com