Sekuestroja e Portit të Limionit, kryeministri Rama sulmon drejtësinë: Arbitraritet që lidhet me mendësinë e një hetuesi

Kryeministri Edi Rama, ka folur nga Asambleja Kombëtare e PS, ku ka sulmuar hapur drejtësinë, lidhur me sekuestron për Portin e Limionit në Sarandë.

Rama e cilësoi një vendim absurd dhe arbitrar , duke thënë se e gjitha lidhet me mendësinë e një hetuesi.

Sipas Ramës, drejtësia po e mban të bllokuar portin në emër të NATO-s, teksa theksoi se ka ndërhyrë në kompetencat e sovranit.

“Absurdi arrin deri në pikën ku merret penge me sekuestro preventive në emër të NATO-s, një investim me rëndësi strategjike prej 200 milionë eurosh në Limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për marinë turistike. Prej dy a tre vjetësh, rri i bllokuar se hetohet mënyra si është lidhur kontrata.

Unë nuk dua të komentoj arsyet e atij hetimi por ama nuk duhet një diplomë në juridik, për të kuptuar se të hetosh marrëveshjen e shtetit me sipërmarrjen private, ta bllokosh investimin dhe këtë ta bësh në emër të NATO-s dhe sigurisë kombëtare duke bërë NATO-n të qeshë dhe të ndërhysh në kompetencën e një pushteti të pavarur që është sovran për sigurinë kombëtare. Ky është arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte qimet e kokës shtetit shqiptar në rast se investitorët do të ishin cinik ta çonin në arbitrazh. Kjo buron nga një arbitraritet që lidhet me mendësinë e një hetuesi”, tha Rama.


Shtuar 17.03.2024 12:47