Seanca për shkarkimin e Metës, VOA: Gjithçka u bë me ngutje, mazhoranca nuk respektoi procedurat

Gjykata Kushtetuese nisi sot një seancë publike, si pjesë e procesit që ajo ka nisur për shqyrtimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, të cilin shumica socialiste e akuzoi për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe se u përfshi duke u bërë palë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Kreu i Shtetit, siç dhe kishte paralajmëruar, nuk është paraqitur për të marrë pjesë, duke u përfaqësuar nga këshilltari i tj ligjor.

Gjatë seancës së sotme, përfaqësuesi i presidentit Bledar Dervishaj paraqiti një kërkesë parapake, sipas së cilës, secili prej anëtarëve të Gjykatës duhet të shqyrtonte mundësinë e dorëheqjes.

Zoti Dervishaj renditi një seri faktesh dhe rrethanash që, sipas tij, vënë në dyshim paanësinë e trupës gjykuese dhe gjykimin me objektivitet të çështjes.

“Presidenti ka humbur tërësisht besimin te kjo trupë, e cila nuk garanton procesin e rregullt ligjor dhe as paanshmërinë e saj”, – u shpreh zoti Dervishaj, duke saktësuar që nëse kërkesa për dorëheqje nuk do të merrej në konsideratë, atëherë ai kërkonte përjashtimin e të gjithë trupës.

Përfaqësuesja e parlamentit, si palë në proces, e konsideroi “abuzive” kërkesën e përfaqësuesit të Kreut të Shtetit, duke theksuar se qëllimi i vetëm sipas saj, është zvarritja e procesit. Ajo kërkoi rrëzimin e kërkesës.

Pas kësaj trupa e gjyqtarëve u tërhoq për të marrë vendim lidhur më kërkesën e presidentit.

Që pas qëndrimit të Gjykatës Kushtetuese, për të mos u shprehur me një vendim lidhur me zgjedhjet vendore të 30 qershorit, “për moskompetencë” në trajtimin e një çështjeje të tillë, ai ka shprehur haptazi mosbesimin ndaj trupës së kësaj Gjykate.

Javën e shkuar Kreu i Shtetit i kërkoi zyrtarisht Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, nisjen e një procedimi disiplinor ndaj anëtares Fiona Papajorgji, duke ngritur dyshime për “shkelje të procedurave ligjore” për caktimin e saj si relatore e çështjes, si dhe duke e akuzuar se kishte shmangur pyetjet e ngritura nga Shoqata e Bashkive, në kërkesën për Opinion drejtuar Komisionit të Venecias.

Pak ditë më parë ai iu drejtua me një letër Gjykatës, ku me tone kritike ngrinte shqetësimin për mungesë informacioni dhe transparence nga ky institucion, i cili, sipas tij, nuk u është përgjigjur të paktën dy shkresave zyrtare të tij.

Po ashtu zoti Meta kërkonte që përfaqësuesit të tij t’i lihej në dispozicion një kohë e pakufizuar, ndryshe nga sa i është bërë e ditur se do të mund të ketë vetëm një hapësirë 60 minutëshe, sipas rregullores së Gjykatës.

Kjo rregullore, vinte në dukje kreu i Shtetit kishte hyrë në fuqi më 27 janar të këtij viti, pasi atij i ishte komunikuar ky afat kohor për mbrojtjen.

Nisma e shumicës për shkarkimin e presidentit Meta, u vu në lëvizje pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar se ai kishte shkelur rëndë Kushtetutën para dhe gjatë procesit zgjedhor, “duke u bërë palë me opozitën apo duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës”.

Shumica veproi me ngut për ngritjen e komisionit hetimor, që do të vlerësonte kërkesën për shkarkim të firmosur nga deputetët e saj, duke qenë se miratimi në seance do të duhej të bëhej brenda datës 9 maj, afati i fundit i lejuar nga ligji, kur parlamenti është në mbyllje të mandatit të tij.

Gjithçka u realizua në nxitim e sipër, pa bërë kujdes as në respektimin e procedurave. Komisioni i ligjeve aprovoi menjëherë kërkesën dhe një ditë më pas, në 7 maj, parlamenti votoi në favor. Presidenti Meta foli për “vendime apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë”, të cilat, siç theksoi, nuk do t’i njihte. Ai nuk u paraqit në komisionin hetimor, i cili mbylli gjithçka në tre javë. Më 9 qershor parlamenti votoi në favor të shkarkimit (104 deputetë pro, 7 kundër)./VOA


Shtuar 1.02.2022 12:12