Nga Alexander J. Motyl, The Hill
Ngjashmëritë e habitshme midis Rusisë së Vladimir Putinit dhe Gjermanisë së Adolf Hitlerit nuk janë të rastësishme.
Të dy regjimet kishin të njëjtën trajektore historike, sepse të dyja ishin produkt i kolapsit perandorak dhe pasojave destabilizuese nga njëra anë dhe një lideri të fortë që premtonte se do bënte vendin sërish të madhërishëm nga ana tjetër.
Ndryshe nga shumica e perandorive, si Gjermania dhe Rusia u shembën shumë shpejt dhe plotësisht në kulmin e fuqisë së tyre në 1917-1918. Perandoritë që shemben – zakonisht si rezultat i një lufte ose ndonjë krize tjetër të rëndë ndërpresin krejt papritur lidhjet politike midis perandorisë dhe kolonive, por mendësia perandorake mbetet mbizotëruese dhe lidhjet ekonomike dhe institucionale midis bërthamës dhe periferisë mbetet e fortë.
Pothuajse në mënyrë të pashmangshme, ekonomitë, shoqëritë dhe kulturat pas rënies së perandorive u zhytën në kaos – si në Gjermani në vitet 1920 dhe Rusi në vitet 1990. Sigurisht për këtë u fajësuan elitat demokratike që erdhën në pushtet pas rënies së perandorisë autoritare.
Pasi demokracia u diskreditua, erdhën në pushtet udhëheqës të fuqishëm si- Hitleri dhe Putin, të cilët premtuan se do të rikthenin lulëzimin e vendit. Nazistët argumentuan se Gjermania duhet të ketë një popull, një perandori dhe një lidër tiran; Putinistët pretenduan se Putini mishëronte shtetin.
Propaganda naziste theksoi gjenialitetin dhe dashamirësinë e Hitlerit; Propaganda putiniste u përqendrua në burrërinë dhe aftësinë e Putinit për të mposhtur botën.
Ringjallja perandorake ishte popullore, rriti legjitimitetin e elitës, premtoi të ringjallte ekonominë dhe të zhdukte kujtimet poshtëruese të kolapsit dhe dukej se garantonte statusin e fuqisë së madhe.
Në qendër të përpjekjeve të tyre për ri-imperializimin ishte pretendimi i rremë se vëllezërit e tyre etnikë në kolonitë e reja të pavarura po shtypeshin: gjermanët në Austri, Çekosllovaki dhe Poloni; rusët në të gjitha shtetet post-sovjetike, dhe veçanërisht në Ukrainë.
Kjo pasoi disa goditje të tjera. Hitleri pushtoi Rheinland, Austri dhe Sudetenland. Putini pushtoi Çeçeninë, pjesë të Gjeorgjisë dhe pjesë të Ukrainës. Duke pasur parasysh mendësitë e tyre perandorake, ambiciet militariste, kultet e personalitetit dhe demonizimin e pakicave (hebrenjve dhe ukrainasve), ishte pothuajse e pashmangshme që Hitleri dhe Putini më pas të fillonin luftëra të mëdha.
Në vitin 1939, Hitleri sulmoi Poloninë; në 1941, ai sulmoi BRSS. Lufta e Putinit me Ukrainën filloi më 24 shkurt 2022. Siç ndodh shpesh me liderët që besojnë në propagandën e tyre, si Hitleri ashtu edhe Putini kryen gabime strategjike që rezultuan në rënien e tyre.
Bolshevikët ishin në gjendje të rikthenin pjesën më të madhe të perandorisë cariste, sepse ushtritë dhe ekonomitë e tyre ishin më të forta se ato të ish-kolonive, ndërsa vendet e fuqishme të Perëndimit ishin të hutuara nga lufta.
Gabimi fatal i Hitlerit dhe Putinit ishte që nuk kishin marrë parasysh shembullin bolshevik dhe, përkundrazi, kishin antagonizuar një grup të tërë shtetesh të fuqishnme.
Zgjerimi ishte diçka tjetër: Europa dhe Shtetet e Bashkuara e injoruan ose e minimizuan atë. Fillimi i një lufte kërcënoi stabilitetin dhe mbijetesën e Euroazisë dhe nuk mund të kalonte pa u vënë re.
Gjeneralët e Hitlerit e dinin se kishin humbur kur nuk arritën të fitonin betejën e Britanisë dhe Shtetet e Bashkuara hynë në luftë. U deshën miliona të vdekur dhe Holokausti përpara se Gjermania të mposhtej përfundimisht dhe Hitleri të kryente vetëvrasje në bunkerin e tij.
Gjeneralët e Putinit gjithashtu duket se e dinin se nuk do të fitonin pasi përpjekja e tyre në një sulm të shpejtë dështoi për të marrë në kontroll Kievin. U deshën që të vriteshin mijëra civilë dhe gjenocidi rus ndaj ukrainasve për të bashkuar një sërë vendesh dhe në veçanti, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar me Ukrainën dhe për t’i siguruar vendit armët e rënda që i nevojiten për të mposhtur Rusinë.
Në mënyrë të ngjashme, Putini thuhet se banon gjithashtu në një bunker. Sipas të gjitha gjasave, aty do të jetë pikërisht fundi i tij.
Vdekja dhe shkatërrimi do të jenë aq të mëdha aq edhe të panevojshme. Por, njësoj si pas Luftës së Dytë Botërore, Perëndimi do të ketë sërish mundësinë për të krijuar një arkitekturë që siguron de-Putinizimin e Rusisë dhe një paqe të qëndrueshme./abcnews.al