Rusia: Do të veprojmë me ashpërsi ndaj çdo “veprimi jomiqësor” kundër Moskës

Rusia tha të hënën se do të reagojë “me ashpërsi” ndaj çdo “veprimi jomiqësor” kundër Moskës.

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim: ne do të reagojmë ashpër ndaj çdo veprimi armiqësor, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion”, tha ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov në një takim në Moskë.

Ai akuzoi vendet perëndimore se synojnë të shkaktojnë pakënaqësi në mesin e popullatës ruse.

“Ata (Perëndimi) gjetën ekzekutues shumë të aftë të vullnetit të tyre në regjimin aktual nazist në Ukrainë, rrënjët e të cilit ishin hedhur shumë kohë më parë,” tha Lavrov.

Ai më tej tha se Rusia po lufton në Ukrainë “jo vetëm për sigurinë, për rusët dhe njerëzit rusishtfolës që jetojnë në territoret e reja”, por edhe për “mbajtjen e shtetësisë ruse”.

Lavrov gjithashtu vuri në dukje se Rusia do të vendosë për perspektivën e zhvillimit të bisedimeve me vendet perëndimore “kur dhe nëse ato të kthjellohen”.

“Megjithë fushatën e ndyrë për të shfuqizuar gjithçka që lidhet me Rusinë, ne ende kemi shumë miq në të gjitha vendet e botës, duke përfshirë edhe Perëndimin. Ne e dimë se ata simpatizojnë vendin tonë shumëkombësh, e duan kulturën ruse dhe ndajnë moralin dhe familjen tradicionale, vlerat që ne po promovojmë”, tha ministri i Jashtëm.

Ai argumentoi se Kina dhe India, si dhe shumë vende të tjera në Euroazi, rajoni Azi-Paqësor, Lindja e Mesme, Afrika dhe Amerika Latine, nuk synojnë të ndihmojnë Perëndimin të ruajë hegjemoninë e tij në botë.

“Është krejt e natyrshme që rreth tre të katërtat e shteteve të botës nuk iu bashkuan sanksioneve anti-ruse. Të gjithë ata morën një pozicion të ekuilibruar për situatën në Ukrainë dhe rreth saj,” tha ai./Albeu.com/


Shtuar 27.03.2023 15:38