Rritja e madhe e çmimeve gjatë fundit të vitit të shkuar, por sidomos gjatë fillimit të këtij viti, ka mbushur arkën e shtetit.
Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj deklaroi pak më parë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, të ardhurat tatimore në arkën e shtetit janë rritur me 26 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ajo është ndikuar sidomos nga rritja e çmimeve.
Ibrahimaj tha se të ardhurat tatimore në buxhet janë rritur me 1.9 miliard lekë. Megjithatë, kjo ka ndikuar në xhepat e qytetarëve, pasi prej disa javësh çmimet e karburanteve, por edhe produkteve bazë të shportës kanë pësuar rritje.
“Rritja ekonomike gjatë 2021 8.54%. Ka pasur një përshpejtim të rritjes. shifrat e punësimit kanë mbështetur vijimin e ecurisë së aktivitetit ekonomik. Papunësia ka vijuar të shënojë rënie. Shkalla e punësimit ka vijuar të shënoje rritje.
Paga mesatare ka ndjekur të njëjtin trend. Ka pësuar një rritje me 8% krahasuar me vitin e kaluar. për treguesit e dya muajve të parë të vitit kemi pasur një rritje të të ardhurave me 26%. Kjo përkthehet në 1.8 miliard lekë më shumë. Çmimet e rritura kanë pasur kontribut me 1.9 miliard lekë dhe pjesa tjetër ka ardhur si pasojë e rritjes së aktivitetit”, deklaroi ministrja.