“Rinasi, dështimi i Ramës”, Basha merr menjëherë përgjigje nga kreu i qeverisë: Kukull e kurdisur

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar Lulzim Bashën një kukull të kurdisur, duke lënë të kuptohet se del dhe thotë ato që i kërkojnë Berisha dhe Meta.

Kryeministri tha nga Gjirokastra, se rreziku nga opozita është real, prandaj kërkoi mbështetjen e qytetarëve.

“Lulin e kanë nxjerrë përpara dhe bën sikur nuk sheh dhe del dhe thotë; e patë çfarë ndodhi në Rinas, është përgjegjësi e Edi Ramës. Një kukull e kurdisur, njëherë flet, njëherë nuk flet dhe bën sikur nuk kupton, nuk duhet dhe nuk mundet dhe në fakt shumëkush thotë çfarë merresh me atë. Lëreni atë, flisni çfarë do të bëni ju. Por ky është një dallim i madh që duhet të jetë shumë i qartë, sepse rreziku është real, nuk është imagjinuar që Shqipëria të humbasë përsëri sikur ka humbur në të shkuarën nëse i jep një shans tjetër atyre që i kanë pasur të gjitha shanset dhe nga ana tjetër është e domosdoshme që ne të vazhdojmë përpara”, tha Rama.

Pak më herët, Lulzim Basha deklararoi se ajo që po ndodh me aeroportin e Rinasit është dështimi i radhës i kryeministrit Edi Rama.

“Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Këto zgjedhje do të vendosin nëse do të ndryshojmë dhe anëtarësohemi në BE ose do të vazhdojmë me Ramën për akoma dhe më shumë dështime. Edhe ajo që po ndodh me aeroportin e Rinasit është dështimi i radhës i një njeriu që i ka vendosur interesat e tij mbi interesat e çdo shqiptari. Ndryshimi është në duart tuaja, është në votat tuaja.

Kudo shoh ngazëllimin e qytetarëve shqiptarë. Le të sjellim së bashku fitoren më të madhe në historinë e Shqipërisë! Le të arrijmë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne!” shkruante Basha.


Shtuar 8.04.2021 19:02

Tags: , ,