“Refuzuam ta takonim”, Shpend Ahmeti zbulon si u ftohën marrëdhëniet Rama-Kurti: U bë shkak Ilir Meta

Ish-kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka folur për raportin tashmë të ftohur midis kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti.

Ahmeti tha në emisionin “Debat” se janë një “listë” krizash që kanë shënjuar marrëdhënien konfliktuale midis Albin Kurtit dhe Edi Ramës, referuar edhe tre momenteve historike në përkeqësimin e raportit Kosovë-Shqipëri që përmendi sot kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Ai shpjegoi se Konjufca iu referua rasteve të mëhershme dhe zbuloi se krisja më e madhe midis Kurtit dhe Ramës ka qenë në 2013, kohë kur Partia Socialiste firmosi koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës.

Sipas Ahmetit, asokohe një figurë me zë në Vetëvendosje dhe vetë Kurti, kanë refuzuar të pranojnë Ramën në një takim, pasi ishin kundër Ilir Metës.

“Në kohën kur unë kam qenë në Vetëvendosje s’e kemi pranuar Ramën në takim. Kjo ka qenë në kohën kur ka hyrë në koalicion me Ilir Metën dhe ne ishim shumë kundër Ilir Metës. Për fat të këtij bashkëpunimi koalicioni ne e ndërpremë takimin dhe nuk e pranuam në takim zotin Rama. Por atëherë nuk pati pasoja se ne ishim parti, ishim lëvizje dhe nuk ishim në qeveri ku këto ftohje-ngrohje të marrëdhënieve. Ka pas shumë të larta dhe të ulëta. Është natyra e këtyre dy politikanëve. Ky (Kurti) e ngre çështjen në nivel kombëtar, Rama fillon me ato batuta. Ka diskutime me politikan të tjerë dhe thotë shiko Albin se nuk je vetëm ti. Tani Rama po bëhet më ndërkombëtar seç duhet të jetë në këtë situatë”, u shpreh Ahmeti.

 


Shtuar 6.07.2023 23:15