Prej ditësh qarkullon lajmi se Raul Gonzalez, ish bomber spanjoll dhe ish kapiteni i Real Madrid që tani është trajner i të rinjve të Castillas, kërkohet nga Eintracht Frankfurt.
Klubi gjerman e shikon si pasuesin e Hutter që u largua te M’Gladbach dhe Raul ka një eksperiencë shumë të mirë si futbollist te Schalke 04 dhe e vlerëson këtë mundësi si të dobishme për rritjen si trajner.
Që prej qershorit të 2019, 43-vjeçari po bën mirë me Castillan e Real Madrid duke shkuar deri në playoff dhe me një stil loje 4-3-3 të pëlqyeshëm ai shihet si një trajner i kujdesshëm dhe ofensiv ndaj dhe Eintracht është gati t’ia besojë stolin por në mendimet e ish sulmuesit tani është edhe ekipi i parë i Real Madrid.
Sigurisht është ëndrra e tij të drejtoj klubin ku ai bëri emër dhe mbajti shiritin e kapitenit dhe duke parë situatën me Zidane ku humbja e titullit mund të vërë ne diskutim francezin, Raul mund të bëhet zgjidhja emergjente për Florentino Perez.
Presidenti mund të përsërisë formulën Zidane që e mori nga ndihmës trajner dhe i besoi skuadrën dhe tani të bëj të njëjtën gjë sërish me Raul.
Për ish bomberin e “los blancos”, janë javë dilemash pasi në tryezë ka ofertën nga Bundesliga dhe për çështje ditësh mund të vijë edhe ajo nga presidenti Perez.