Raporti OSBE/ODIHR, BE: Shqetësimet me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, të hetohen akuzat për blerje vote

Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë komentoi gjetjet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit.

“Raporti përfundimtar konfirmon se zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i reformuar, mbikëqyri procesin zgjedhor në një mënyrë transparente, duke gëzuar besimin e palëve të interesuara”, thotë BE.

Sipas zyrës së BE, raporti konfirmon gjithashtu shqetësimet në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, apo funksioneve zyrtare nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike.

Sipas BE, këto gjetje duhet të shfrytëzohen nga autoritetet për t’i adresuar pa vonesë.

“Raporti përfundimtar ofron rekomandime për të përmirësuar kuadrin zgjedhor në Shqipëri në linjë me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike. Ne nxisim Parlamentin e ri të angazhohet në një dialog konstruktiv për të trajtuar rekomandimet si çështje me përparësi në legjislaturën e ardhshme, si dhe për ta përshtatur kornizën ekzistuese ligjore shumë kohë para zgjedhjeve të ardhshme”, vijo deklarata.

Organeve ligjzbatuese u lihet detyra që të hetojnë dhe mbyllin hetimet mbi akuzat për blerje të votës dhe rrjedhjen e të dhënave personale të qytetarëve.


Shtuar 27.07.2021 18:04

Tags: , ,