Raporti në 2020: Alves Reçi u hoq si italian kur i plasën tritolin Preng Gjinit. Iku me taksi në Maqedoni. Nuk u arrestua as kur u kthye

Etja për të vrarë Preng Gjinin, ka mobilizuar një dyzinë personash të botës së krimit dhe vetë anëtarët e familjes “Reçi” nga Rrësheni, të cilëve në muajin janar 2020, u ishte ekzekutuar me snajper i afërmi i tyre, Kastriot Reçi.

Por katër vite përpara se SPAK të zbulonte autorët që siguruan kushtet për të vrarë Preng Gjinin në Tiranë, si killerin Nuredin Dumani, Fatmir Troplinin, Arben Mërkurin alias Manecin, Elson Reçin, Robert Laçin, punonjësin e policisë Klodian Shahinin, Besian Xhixhën dhe Enver Divën, një raport i dërguar nga policia kriminale drejt prokurorisë së Tiranës, hidhte dyshime të forta për pjesëmarrjen në këtë atentat të njërit prej nipave të Kastriot Reçit, shtetasin Alves Reçi.

Tashmë dosja hetimore e rregjistruar në prokurorinë e Tiranës me Nr. 5775 për akuzën e “Vrasjes për gjakmarrje” e mbetur në tentativë dhe “Shkatërim i pronës me eksploziv” është tërhequr për hetime të mëtejshme në SPAK dhe padyshim që ky raport kriminal është brenda në dosjen hetimore.

Alves Reçi, është identifikuar nga policia kriminale qysh në muajin shtator 2020, kur ka ndodhur sulmi me 400 gramë tritol ndaj Preng Gjinit.

Por çuditërisht në atë kohë askush nuk lëvizi në prokurorinë e Tiranës, pasi dosja shkoi nga njëri prokuror në tjetrin.

Mirëpo edhe pse çështja shkoi në prokurorinë e posaçme SPAK, sërish nuk pati asnjë akuzë konkrete mbi veprimet kriminale të kryera nga Alves Reçi dhe vetë Nuredin Dumani, i cili sipas bisedave të “SKY” kishte mbyllur pazarin me “Manecin” dhe Fatmir Troplinin, duke gjetur si ekzekutorë të Preng Gjinit, Enver Divën dhe Besjan Xhixhën.

Sipas relacionit të përpiluar në shtator 2020 dhe raporteve të vëzhgimit të policisë në këtë kohë, personi i identifikuar si pjesëmarrës në këtë krim është pikërisht njëri nga djemtë e vëllait të, Kastriot Reçit, i cili mbeti i vrarë me snajper, në janar 2020 në qendër të Rrëshenit.

Dëshira për tu hakmarrë ndaj familjes Gjini, dhe më konkretisht ndaj ish-policit, Preng Gjini, ka çuar në futjen në veprim të djemve të rinj të familjes Reçi, ndërsa baballarët e tyre kanë qëndruar të qetë në banesat respektive në Rrëshën.

Dhe kjo ka ndodhur 7 muaj nga vrasja makabre e Kastriot Reçit, dhe kjo familje ka kundërvepruar duke aktivizuar, djemtë e rinj të familjes.

Por futja në veprim i djemve, ka qenë një gafë, pasi sipas raportit njëri nga djemtë është identifikuar plotësisht nga policia dhe prokuroria e Tiranës, por çuditërisht në atë kohë dhe aktualisht në aksionin e SPAK, nuk veproi kush për ti ndaluar.

Alves Reçi, ka qenë pikërisht në vendin e ngjarjes, ku ka qëndruar në lokal “D….”, shumë pranë urës së “Nisharakut”, dhe prej andej mësohet se është personi që ka aktivizuar lëndën shpërthyese.

Alves Reçi, ka qëndruar në lokal dhe i është prezantuar kamerierit si shtetas italian, duke komunikuar me të në italisht. Alves Reçi, pas shpërthimit të makinës më pas është çuar nga tavolina, ka paguar lekët dhe gjatë këtij momenti mësohet se e ka pyetur kamerierin se nga cila ana e qytetit binte “Rruga e Elbasanit”.

Mandej Alves Reçi, ka dalë nga lokali. E gjithë kjo skenë është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit, ku Alves Reçi, shfaqet me pantallona treçerekëshe, me kapele në kokë, me flokë të gjata dhe në shpinë mbante, një çantë ngjyrë kafe.

Teksa ka dalë nga lokali ai ka qëndruar disa minuta në këmbë në trotuar duke vëzhguar situatën dhe menjëherë pas momentit të shpërthimit të fuqishëm, ka filluar të lëvizë dhe mandej të vrapojë, duke u larguar me shpejtësi.

Një seri filmimesh të sekuestruara nga policia kriminale e Tiranës, tregojnë qartazi se njëri nga nipat e familjes Reçi, Alves Reçi vrapon drejt rrugës “Gjergj Fishta” në drejtim të kryqëzimit “Vasil Shanto”.

Silueta e Alves Reçit, shfaqet deri në rrugën e Elbasanit, ku prej këndej ai është larguar me taksi në drejtimit të qytetit të Elbasanit dhe më pas shfaqet në pikën kufitare të “Qafë-Thanës”.

Pikërisht nga kjo pikë kufitare Alves Reçi ka dalë nga Shqipëria duke hyrë në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse ka qenë në lupën e policisë, çuditërisht ai është lejuar të kalojë në Maqedoni.

Por pavarësisht se Alves Reçi, ka dalë nga Shqipëria, dy apo tre ditë pas datës 15 shtator 2020, çuditërisht ky person futet sërish në Shqipëri, duke përdorur sërish portën kufitare të “Qafë-Thanës”.

Sipas raportit për policinë, nuk ka asnjë dyshim që personi që vrapoi menjëherë pas shpërthimit, është pikërisht Alves Reçi, djali i vëllait të Kastriot Reçit.

Identifikimi i tij është kryer nga kamerat e sigurisë dhe nga disa burime operative në qytetin e Rrëshenit.

Veç familjes Reçi, e cila kishte konflikte gjakmarje me familjen Gjini në Rrëshen, për vrasjen e Preng Gjinit ishin aktivizuar dhe dy grupe kriminale si ai ku aderonte “Maneci” dhe vrasësit me pagesë Nuredin Dumani, pasi sipas bisedave Preng Gjini frekuentonte shpesh Aleksandër Lahon alias “Rrumin”.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Gjini lëvizte me makinën e kushëririt të tij, Fatjon Dautaj. Dy kushërinjtë Dautaj dhe Gjini, janë mbajtur në vëzhgim për gati dy muaj e gjysëm, derisa në 15 shtator 2020 u realizua sulmi me tritol në qendër të Tiranës.

Policia një ditë pas ngjarjes, ka kryer kontrolle të imtësishme në qytetin e Rrëshenit, ku në fokus kanë qenë banesat e vëllezërve Tonin Reçi, Paulin Reçi, Martin Reçi, Alfred Reçi dhe Gjovalin Reçi.

Gjatë këtyre kontrolleve nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm dhe të gjithë vëllezërit ishin në banesat respektive. Vetëm në shtëpinë e Gjovalin Reçit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pajisje DVR dhe një dron./oranews


Shtuar 28.05.2024 20:30