Rama: Të gjithë do i bashkohen “Ballkanit të Hapur”, është vetëm çështje kohe

Kryeministri Edi Rama nga Beogradi është shprehur i bindur se të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, do t’i bashkohen nismës “Open Balkan”.

“Ne kemi nisur me 3 shtete, dhe të jeni të bindur se hap pas hapi, të gjithë do i bashkohen “Ballkanit të Hapur”, është vetëm çështje kohe”, tha Rama.

Rama komentoi edhe dorëheqjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Rama tha se largimi i tij nuk e ndikon nismën.

“Nuk e besoj, sepse kjo nuk është një nismë që lidhet me persona, por me të ardhmen e këtij rajoni, dhe më të mirën e vendeve të rajonit. Ne jemi në këtë nismë për interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe besojmë fort që kjo nismë në funksion të zbatimit praktik të atyre që janë parimet dhe kriteret e Procesit të Berlinit, është e vetmja rrugë për ta jetësuar Procesin e Berlinit, për të gjeruar kapacitetin ekonomik të vendeve tona, dhe patjetër për ta stimuluar më tutje paqen në rajon duke krijuar një atmosferë ku edhe vetë dialogu shumë i vështirë midis Serbisë dhe Kosovës mund të zhvillohet në kushte më inkurajuese”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 4.11.2021 22:08