Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi, në fjalën e tij përpara protestuesve deklaroi se Shqipëria sot është e zhytur në korrupsion dhe krim. Bardhi tha se Edi Rama po mbjell krim dhe frikë dhe për opozitën. Ai shtoi se me qytetarët përkrah, opozita do ia dalë që të vijë në pushtet dhe të bëjë një vend më të mirë.
Bardhi theksoi se në kullat e Tiranës në fakt pastrohen para. Ai shtoi se afera e inceneratorëve dhe të tjera skandale e kanë nxirë këtë qeveri, që sipas tij, është kundër çdo qytetari.
Bardhi: Ne sot kemi me vete vullnetin tuaj për të fituar. Ju këtu jeni pasuria më e madhe që ka Shqipëria, që nuk dorëzoheni dhe frymëzoni mijëra shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Liria në këtë shesh ka emrin e secilit prej jush. Ne duam të bëjmë më të mirën për Shqipërinë. Ne jemi bërë bashkë si e vetmja mundësi për t’u përballur me të keqen. Edi Rama mbjell vetëm korrupsion dhe varfëri. Rama ka përdorur çdo mekanizëm që të mbjellë frikë. Ne nuk kemi frikë, ne do të përballemi, ne nuk dorëzohemi. Vendi është në varfëri. Shqipëria është kthyer në një parcelë të madhe, duke varfëruar pjesën dërrmuese të shqiptarëve. Kullat janë pastrim parash, afera e inceneratorëve na tregoi sa e korruptuar është kjo qeveri. Por ka rrugëdalje nga gjendja ku ndodhet sot Shqipëria. Ne jemi ndryshe dhe Shqipëria do të bëhet vend i mundësive./albeu.com