Rama flet për gjyqtaren e Krujës: “Mostra” që me rrjetin e saj shiste e blinte drejtësi!

Kryeministri Edi Rama, nga Korça, ku është ndalur për takimin e radhës elektoral u shpreh se Reforma në Drejtësi dhe institucionet e reja kanë dhënë frytet e para.

Ai iu referua këtu rastit të arrestimit të gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, të cilën e quajti ‘mostër që sëbashku me rrjetin e saj shiste dhe blinte drejtësi’.

Po ashtu Rama i adresoi edhe një mesazh qytetarëve që mendojnë të votojnë çdo parti tjetër përveç PS-së. Ai tha se qytetarët që duan ndryshimin do t’i japin  “çelësat në dorë dy personazheve që janë dy figura kyçe në luftën kundër Reformës në Drejtësi, Saliut dhe Ilirit.”

Rama: Në periudhën që ne kemi pasur drejtimin e vendit është bërë një luftë e mirëfilltë politike dhe një betejë e mirëfilltë në parlament për të vendosur në një bazë të re ligjore drejtësinë dhe kjo është arritur. Tani jemi në fazën kur po ecën çdo ditë pastrimi i sistemit të drejtësisë nga llumi. Nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe llumi kas qenë shumë i madh sepse ndryshe nuk do ishim ne kaq të mërzitur me çfarë na ka ndodhur, do edhe llumi kohën e vet të pastrohet.

Institucionet e reja po ngrihen. Kanë dhënë provat e para që po funksionojnë. Rasti i asaj gjyqtares mostër në Krujë që tani është prapa hekurave me gjithë rrjetin e saj që shiste e blinte drejtësi, është shumë domethënës. Kështu SPAK-u, gjykatat e reja do fillojnë të japin frytet që populli pret prej dekadash.

Një gjë është e sigurtë. Vota në drejtim tjetër përveçse në drejtim të PS-së është votë për t’i kthyer të gjithë mbrapsht. Dhe e para gjë që do të goditet me votën e shqiptarëve larg qoftë, e shqiptarëve që duan ndryshim dhe nisen nga e mira është drejtësia. Çelësat do t’i jepen në dorë dy personazheve që janë dy figura kyçe në luftën kundër Reformës në Drejtësi, Saliut dhe Ilirit. Natyrisht këtu në skenë këta janë si jo kaq praparojë se kanë vënë para Lulzimin për të bërë dasma rrugëve dhe bashkë me Monikën që i mban litarin te fyti. Kështu që nuk duhet të ketë dyshim. Ne nuk jemi për t’u pirë në kupë, por jemi zgjidhja dhe zgjedhja e vetme.


Shtuar 5.04.2021 06:04