Rama do mbyllë TikTok-un, PD kundër: Nuk do ta pranojmë, fushata elektorale po e tmerron

Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa, ka reaguar lidhur me lajmin e bërë me dije këtë të shtunë nga kryeministri Edi Rama për mbylljen e “TikTok”.

Përmes një postimi në “Facebook”, Zhupa shkruan se kryeministri Rama ka zgjedhur që të mbyllë këtë rrjet social duke justifikuar kështu dështimin e arsimit, sigurinë në shkolla, dështimin e Ministrisë së Arsimit dhe vjedhjen e parave.

Sipas deputetes demokrate, vendimi për mbylljen e “TikTok” është kundër lirisë së shprehjes dhe demokracisë.

Ndër të tjera ajo thekson se Ramën e ka tmerruar fushata elektorale dhe kjo po e bën atë të përdorë përpëlitjet e fundit të censurës.

“Fushata elektorale po e tmerron, po e shfazon dhe po bën përpëlitjet e fundit të censurës. Rezultati që mori Trump te rinia kryesisht nga Tik Tok, ishte prova që duhej mbyllur për Ramën”, tha Rama.

Reagimi i plotë:

Të shfrytëzosh vrasjen e një 14 vjecari për të zgjidhur hallet personale me rrjetet sociale që nuk kontrollon dot, është vrasje e dyfishtë dhe akt i rëndë ndaj lirisë.

Rama sot lajmëroi se arsimi i dështuar qënka faj i Tik Tokut, se thikat në shkolla i fuska Tik Toku, se drogën në shkolla e coka Tik Toku, se mësimin me dy turne e bën Tik Toku, se mungesën e rezultateve në testin Pisa e manipulon Tik Toku, se mungesën e aktiviteteve në shkolla e ka faj Tik Toku, se ministren e dështuar ja vuri Tik Toku, se paratë e arsimit i vidhka Tik Toku. Edhe pasi gjeti “fajtorin” do e mbyll atë për 1 vit.

Vendimi diktatorial për mbylljen e një rrjeti social si TikTok që nuk po e kontrollonte dot është akt i rëndë kundër lirisë së shprehjes dhe demokracisë. Është akt elektoral i pastër dhe përdorim i pushtetit për të shtypur liritë.

Fushata elektorale po e tmerron, po e shfazon dhe po bën përpëlitjet e fundit të censurës. Rezultati që mori Trump te rinia kryesisht nga Tik Tok, ishte prova që duhej mbyllur për Ramën.

Rama shpall se do mbyll sa për fushatë Tik Tokun ku del me keq se kudo, ku ska dot reporte dhe shadoëban, ku ska dot app “Aktivisti”, dhe i kanë dalë nga kontrolli propagandës.

Po si kaloi Edi Rama nga mikpritës i yjeve të Tik Tok, nga tik-tokist për vete, nga marrëveshja AMA- Tik Tok te vendimi për mbyllje?! E thjesht pamundësia për ta kontrolluar dhe ju kthimi i tij në një mjet i fuqishëm antipropagandë qeveritare.

Censura nuk do pranohet!


Shtuar 21.12.2024 20:15

Tags: ,