Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq ka nxituar të reagojë pas aksionit të Policisë së Kosovës në Shtërpcë ku u arrestuan dhjetë persona të cilët dyshohen për marrje të ryshfeti, dhënie të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, përfshirë ish-kryetarin e kësaj komune.
Petkoviq e ka quajtur aksionin e sotëm të Policisë “përpjekje tjetër brutale të Albin Kurtit për ta frikësuar popullin serb”, duke dhënë, si gjithmonë, disa hipoteza prej hiçit, transmeton Gazeta Express
“Nën maskën dhe nën pretekstin e një lloj lufte kundër korrupsionit, Albin Kurti po dërgon sërish forcat speciale të Rossu-së me mjete të plota luftarake në mjediset serbe me qëllimin e vetëm për t’i kriminalizuar serbët që mbetën mburojë për mbrojtjen e interesave tona kombëtare. Në radhët e veta, kur të gjithë faktorët ndërkombëtarë e dinë se të gjitha flukset e parave të pista kalojnë nëpër mjedisin shqiptar”, ka thënë Petkoviq.
Ai e lidhi aksionin e Policisë me vizitën e shefit të tij, presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Shqipëri, në kuadër të takimeve me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kryeministrin në detyrë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev për “Ballkanin e Hapur”.
“Ky veprim nuk ndodh rastësisht sot, kur presidenti Aleksandar Vuçiq supozohet të nënshkruajë gjashtë marrëveshje të rëndësishme në kuadër të nismës “Ballkani i hapur” si një hap drejt një të ardhmeje më të mirë, dhe padyshim është i koordinuar me tërbimin e mbrëmshëm ekstremist dhe djegien e flamujve serbë në Tiranë”, tha Petkoviq.
Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës zhvilluan sot një aksion në Shtërpcë, ku u arrestuan dhjetë persona të cilët dyshohen për marrje të ryshfeti, dhënie të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Aksioni i cili është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, ka vënën në pranga edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës.
Përveç tij, janë arrestuar edhe drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë tjerë dhe pronarë të firmave, të cilët dyshohen për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronar të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./Express