Qeveria në Maqedoninë e Veriut parashikon legalizimin e kanabisit për përdorim personal dhe kultivim në shtëpi

Programi i qeverisë së re të Maqedonisë i dorëzuar nga i mandatuari Dimitar Kovaçevski, parasheh edhe legalizim të marijuanës për përdorim personal dhe kultivim në shtëpi. Kjo është një nga pikat e shumta që përmban ky program, e që pritet të shtunën të marrë përkrahje në Kuvend, bashkë me përbërjen e re të kabinetit qeveritar.

Kjo formë e legalizimit të marijuanës për herë të parë si ide u paraqit në fund të vitit 2020. Në qeveri thonë se paraprakisht do të hapet një debat më i gjerë në të cilin do të dëgjohen edhe idetë e organizatave joqeveritare dhe shoqatave të pacientëve. Debati do të intensifikohet gjatë vitit të ardhshëm.

Për momentin, ligji parashikon kultivimin e kanabisit për përdorim mjekësor sipas përqendrimit të THC-së.

Disa nga OJQ-të vendor mendojnë se përdorimi i marijuaanës duhet të dekriminalizohet për përdorim personal dhe të legalizohet për t’u definuar ligjërisht kultivimi dhe shitja. Sipas tyre, Kodi penal për momentin nuk ndëshkon perdorimin personal të marijuanës por kjo është një praktikë e krijuar ndër vite mes Ministrisë së Punëve të Brendshme, Prokurorisë dhe Gjykatave.

“Dekriminalizim i kanabisit duhet të bëhej që dje. Është e vërtetë se është krijuar një praktikë e fuqishme sepse ligji aspak nuk penalizon. Në shtëpinë tuaj nëse përdorni kanabis kjo nuk është shkelje. Shkelje është nëse këtë e bëni në hapësirë publike dhe nëse prishni rendin dhe qetësinë.”-pat deklaruar Janaki Mitrovski, avokat dhe themelues i shoqatës për kanabis dhe politika të gjelbërta “Bilka”.

“Praktikat e mira në botë tregojnë se legalizimi për qëllime mjekësore shkon paralelisht me legalizimin e përgjithshëm për qëllime rekreative dhe vetëm kështu mund të ketë ndikim mbi përmirësimin e shëndetit publik” kishte pohuar Natasha Boshkova, po ashtu avokate dhe këshilltare juridike në OJQ-të “Margjina” dhe “HOPS”.

OJQ-të kërkojnë edhe rishikim të ligjit që lejon përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore pacientëve t’u mundësohet përdorim preparatesh më cilësore dhe të shumëllojshme, të shtohet lista se për çfarë mund të përdoret kanabisi si trajtim dhe të jepet mundësi që këtë të mund ta bëjnë edhe mjekët privat, përveç atyre publik.

Që nga legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe deri tani Ministria e Shëndetësisë ka ndarë rreth 60 licenca. /Zhurnal


Shtuar 12.01.2022 17:03