Qeveria maqedonase: Më pak telefona në shkolla

Shkollat fillore dhe të mesme obligohen që të intensifikojnë komunikimin në trekëndëshin nxënës-mësues-prindër, si dhe përmes protokolleve duhet të reduktohet përdorimi i telefonave celularë në shkolla. Këto janë ndër dhjetë rekomandimet e miratuara nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e së martës.

Nga Ministria e Arsimit kanë theksuar se këto rekomandime janë të destinuara kryesisht për shkollat, si dhe për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në funksionimin e sistemit edukativ-arsimor. Rekomandimet, sipas tyre, kanë për qëllim që në këtë periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme të reagohet me kujdes dhe me korrektësi për rritur nivelin e sigurisë në objektet shkollore dhe parandalimin e dhunës së bashkëmoshatarëve.

“Komunave dhe Qytetit të Shkupit, Qeveria u ka rekomanduar që të angazhojnë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, që të bëjnë organizim dhe të vendosin protokoll për mënyrën e shfrytëzimit të telefonave celularë nga nxënësit dhe mësimdhënësit, gjatë kohës së mbajtjes së orës së mësimit, po edhe në hapësirat e shkollës”, ka deklaruar Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit në Maqedoninë e Veriut.

Udhëheqësia, mësimdhënësit dhe shërbimet profesionale është e nevojshme që mënyrë përkatëse, të përgjigjen, diskutojnë dhe të ndikojnë në gjendjen mentale të të rinjve, si dhe të ofrojnë mbështetje për tejkalimin e sfidave, theksohet në rekomandimet e Qeverisë duke imponuar hapjen e temës mbi nevojën e uniformave shkollore si kod i veshjes së nxënësve.

Joakim Nedelkovski, kryetar i Sindikatës së Arsimit në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se rasti tragjik me vrasjen e 8 nxënësve dhe një të rrituri nga një nxënës shkolle në Beograd imponoi diskutimin mbi dhunën në mesin e të rinjve në nivele të larta.

“Fakt është se ka dhunë, ka bullizëm në mesin e të rinjve dhe shumë rrallë flitet hapur për këtë problematikë. Psikologët sigurisht se kanë informacione rreth rasteve që denoncohen, por mbetet shumë punë që të inkurajohen fëmijët që rastet – ku është e pranishme[dhuna] – të denoncohen që të parandalohen veprimet e padëshirueshme”, thotë Nedelkovski./rel


Shtuar 17.05.2023 18:26