Qendrat e emigrantëve në Shëngjin/ “Asnjë nuk do të mund të largohet!” Rama për “La Repubblica”: Ajo që ndodh brenda kampeve nuk na shqetëson

Qendrat e pritjes së emigrantëve që do të vijnë nga Italia, në zonën e Lezhës, pritet të jenë funksionale në ditët në vazhdim. Në këtë atmosferë “pritjeje”, kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për “La Republica” thotë se ndërtimi dhe menaxhimi i qendrave është diçka që nuk ka absolutisht asnjë lidhje me qeverinë shqiptare.

Rama shton se autoritetet shqiptare do të shqetësohen vetëm nëse përfshihen nga Italia. Sipas Ramës, ajo që ndodh brenda nuk e shqetëson, pasi është përgjegjësi e palës italiane.

“Qendrat e emigrantëve në Shqipëri nuk shqetësojnë qeverinë tonë. Do të shqetësohemi vetëm nëse përfshihemi nga Italia dhe kur ka arsye për t’u shqetësuar”, thotë Rama.

Veç kësaj mediat italiane i kanë dedikuar artikuj të shumtë kësaj çështjeje gjatë kësaj jave duke paralajmëruar dhe hapjen e qendrave të pritjes së emigrantëve. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se këto të fundit kanë mure rrethuese, kamera përgjatë perimetrit, një pajisje sigurie brenda, ku zbatohet juridiksioni italian dhe forcat e policisë italiane do të garantojnë rendin.

Sipas tyre, do të ketë gjithashtu staf të UNHCR-së për të monitoruar respektimin e të drejtave të refugjatëve. Kërkesat për azil do të shqyrtohen brenda 4 javësh. Gjithashtu shtohet se janë planifikuar lidhje me videokonferencë me gjykatën e Romës për seancat e vlerësimit të paraburgimit.


Shtuar 13.10.2024 09:31