Publikohen fotot/ Ja si kapardisej në “Audin” e blinduar të Behar Bajrit, djali i Dekanit Gasper Kokaj

Këto janë fotot e papublikuara të Kristjan Kokajt, djalit të dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, Gasper Kokaj, teksa shihet duke pirë kafe, në sediljen e pasme të “Audi”-t të blinduar që drejtohej nga kapoja i krimit të Organizuar në Shkodër, Behar Bajri.

Imazhet e siguruara ekskluzivisht nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, tregojnë qasjen e afërt që djali i dekanit dhe profesorit të Juridikut në Shkodër, me Behar Bajrin.

Për më tepër këto imazhe u kthyen në provën kryesore të identifikimin e plotë të Behar Bajrit, pasi në SPAK u thirr Kristjan Kokaj, duke pranuar se fotot i kishte shkrepur Behar Bajri teksa ishin në shoqërinë e njëri-tjetrit.

Përmes këtyre fotove të dy së bashku, Kristjani dhe Behari ecin rrugëve të Shkodrës me “Audi”-n e blinduar, ndërsa shkojnë në Fakultetin e Drejtësisë, për të takuar Gasper Kokajn, pasi dëshironte të bisedonte me të Behar Bajri.

 

Kristjan Kokaj, shprehet se teksa nuk kanë mundur ta takojnë babain në fakultet, janë larguar në drejtim të “Dobraçit”, ku kanë konsumuar kafe në shtëpinë e Bajrit.

Këto imazhe tregojnë afrimitetin dhe miqësinë që ka djali i Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, me Behar Bajrin, i cili me sa duket kërkonte të depërtonte në Fakultetin Juridik të Shkodrës, duke takuar personalisht Gasper Kokajn.

Aktualisht, Gasper Kokaj, është marrë i pandehur në një çështje tjetër në prokurorinë e Shkodrës, për akuzën e korrupsionit pasiv së bashku me dy pedagoge të tjera, për kalimin në provime të dy studenteve kundrejt shumës prej 500 mijë lekë të vjetra.

Ndërsa djali i tij Kristjan Kokaj, është dënuar pak muaj më parë për një aksident me vdekje të bërë ndaj Martin Pjetrit.

Vendimi për dënimin e Kokajt është marrë nga gjyqtari Tonin Stërkaj, i cili e ka deklaruar fajtor dhe dënuar me 3 vite burgim për akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.

Por ky dënim me burg është pezulluar, duke e kaluar vuajtjen e dënimin në periudhë shërbimi prove, me kusht që Kristjan Kokaj të mos kryejë asnjë vepër penale.

Ndërkohë SPAK thotë se në përdoruesin “SKYECC” të Behar Brajoviq me kodin “9E6STL” në bisedat e datës 5 dhe 6 Mars 2021, janë shkëmbyer midis Behar Brajoviq dhe Xhevahir Litës, fotot e Kristian Kokaj, i ulur në sediljen e pasme të një autoveture, një imazh të godinës së Fakultetit Juridik në Shkodër si dhe imazh tjetër ku Kokaj shfaqet i ulur në një kolltuk në një ambient të mbyllur.

Për këto fakte më datë 4 Prill 2024, oficerët e BKH-së kanë pyetur si deklarues Kristjan Kokaj, i cili pasi i janë paraqitur fotot e shkëmbyera në “SKYECC”, ka deklaruar se personi në fotot e shkëmbyer është vetë shtetasi Kristjan Kokaj.

Kristjan Kokaj deklaron se në fotot ku është i ulur në sediljen e pasme të një makine me filxhan kafeje në dorë ka qenë tek autovetura e Behar Brajoviq ndër tjera ai deklaron:

“…në fotot ku unë jam i ulur pasagjer, foto është bërë në makinën e Behar Brajoviq, dhe foton e ka bërë Behar Brajoviq, pasi aty kam qenë vetëm unë pasagjer dhe Behar Brajoviq shofer, nuk ka pasur person tjetër. Makina ka qenë një “Audi” e blinduar por targën nuk ja kujtoj. Ndërsa foto ku kam qenë i ulur në divan, mund të jetë bërë në kafene ose në shtëpinë e Behar Brajoviq, nuk di të them saktë…”.

I pyetur nga oficeri se si është ndodhur në autoveturën e Behar Brajoviq, Kristjan Kokaj ka deklaruar se:

“…unë nuk e kujtoj datën e saktë kur ka ndodhur kjo, por duhet të ketë disa vite. Unë mund t’ju shpjegoj lidhur me ditën kur është bërë foto, pasi nuk kam rastisur pasagjer në makinën e Behar Brajoviq përveç këtij rasti. Në ditën që është bërë foto unë kam qenë duke pirë kafe në lagjen time, pranë banesës. Aty ka kaluar Behari dhe nga makina më ka thirrur “…o nipçe hajde një here…”. Kam takuar Beharin dhe më ka thënë: “…hajde bëjmë një xhiro…”. Unë kam marrë kafenë që kisha porositur dhe jam ulur në sediljen e pasme dhe kemi bërë xhiro nëpër qytet. Gjatë kohës që udhëtonim, Behari më ka treguar se deshte të takonte babanë tim, Gasper Kokaj i cili është Dekan i Fakultetit të Drejtësisë Shkodër dhe për këtë arsye më kërkoi që të telefonoja babanë që të komunikonte me Behar Brajoviq…”.

Nga këqyrja e komunikimeve të përdoruesve SkyECC “TIV9E3” dhe “9E6STL” janë zbuluar vrasja e Gjin Boriçit, korrupsioni në gjyqësor, sigurimi i kushteve për të kryer vrasjen e Dorian Dulit, Ibrahim Licit, Mustafa Licit, Genc Tafilajt, Kleant Musabelliu e shume episode të tjera si trafik droge dhe kultivim droge.