Nga David Shipley “The Spectator”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
“A ke me vete një elektrik dore?”. Britma erdhi nga maja e një kodrine në plazhin Deal. Bill, që sapo kishte mbërritur në breg me një varkë emigrantësh, ngriti kokën. Pa dy burra që po vinin drejt tij. Ishte ora 1 e mëngjesit, por Hëna e plotë e ndritshme ndriçonte si të ishte ditë.
Ndërsa Bill nisi të ecë drejt tyre i shqetësuar se çfarë janë këta njerëz, tentoi të godiste me grusht njërin prej tyre. “Policia!”- bërtiti njëri prej tyre duke e goditur i pari. Bill u përplas me forcë në plazhin me guralecë. Rreth tij kishte njerëz të armatosur dhe të veshur me të zeza. Bill qëndroi i shtrirë, ishte tepër i tronditur për t’u përleshur.
“Jeni i arrestuar për organizimin e emigracionit të paligjshëm…”- i tha njëri prej agjentëve të policisë. Në shkurtin e vitit 2019, një gjykatës e dënoi Bill me 8 vjet. U njohëm në burg. Unë isha atje në vitin 2020 për mashtrim. Pas hekurave, takova Billin, një anglez i bardhë që u rrit duke lundruar në Kanal me babain e tij.
Pas shkollës shërbeu në ushtri, por u largua i zhgënjyer dhe themeloi një kompani ndërtimi. Në vitin 2008 falimentoi dhe kishte dëshpërimisht nevojë për para. Në kompaninë e tij ai kishte punësuar një grup shqiptarësh. Njëri prej tyre, Artani, merrej me trafikun e kanabisit, falsifikimin e eurove dhe trafik emigrantësh.
Kryerja e misioneve sekrete në Kanal plotësoi nevojat financiare të Bill. Artani i bëri një propozim për të hyrë në biznes me të: “Ti je britanik. Ata nuk do të dyshojnë tek ti!”. Bill nuk kishte asnjë problem me emigrimin ilegal. Ai nuk e kuptonte se pse një njeri duhej të lindte me më shumë mundësi sesa një tjetër, ndaj pranoi.
Detyra e tij ishte të fuste emigrantët e paligjshëm në një traget. Çdo emigrant paguante 6.000 paund për udhëtimin, ndërsa Billi merrte 3.500 paund. Ai shkoi në Dover dhe hipi tragetin e linjës për në Dunkirk ku siguria ishte e dobët. Nga aty, Bill u nis me makinë për në Bruksel.
Emigranti i parë, një burrë nga Kuçi i Vlorës në Shqipëri, vendlindja e Artanit, ishte futur ilegalisht në Angli disa herë më parë. Billi i fuste emigrantët në traget duke i fshehur në bagazhin e makinës së tij. Pasi i hipte në bord, u thoshte atyre që të futeshin në një kamion. Kamionët ishin kontrolluar para se të niseshin nga Franca, ndërsa Britania kontrollon zakonisht makinat që futen në Dover.
Pas 6 muajsh, pasi kishte kontrabanduar mbi 25 emigrantë, policia franceze kontrolloi makinën e Bill dhe gjeti një burrë nga Sri Lanka. Ata e akuzuan Billin dhe e liruan me kusht. Ndërsa Bill priste gjykimin, ai e ndaloi këtë aktivitet. Artani e vazhdoi, derisa një emigrant u hodh nga një kamion që të mos paguante.
Por këmba i ngeci diku dhe kur kamioni ndaloi pësoi plagë të rënda. Bill u kthye në Francë, ku u dënua me 6 muaj burg. Ndërkohë, policia britanike arrestoi Artanin, që u dënua me 7 vjet burg. Menjëherë pas rikthimit të Bill në Mbretërinë e Bashkuar, një burrë dhe një grua në moshë të mesme vizituan shtëpinë ku ai jetonte me të fejuarën e tij, Caroline.
Burri i tregoi Billit një listë të të gjitha rezervimeve të tij me traget. Pastaj foli gruaja: “Na ndihmoni ose do të burgosen për shumë se 6 muaj”. Bill ngurroi që të bashkëpunonte, por në fund u dorëzua përballë kërcënimeve. Në vitin 2015 Bill u takua sërish me Artanin, i cili ishte liruar nga burgu në vitin 2012. Siguria në linjat e trageteve ishte forcuar, ndaj atyre u duhej një plan i ri. “Pse të mos i transportojmë me barka?”- pyeti Bill.
Kështu ai u vendos me banim në Brightlingsea në Essex, dhe kaloi shumë kohë me vendasit derisa ata e pranuan në gjirin e tyre. Artani mori me qira një shtëpi në Paris ku emigrantët qëndronin derisa një taksi i çonte në bregun verior të Francës: Gravelines, Grand-Fort-Philippe ose Les Hemmes d’Oye.
Katër burra nga Sri Lanka apo vietnamezë, secili duke paguar 15.000 paund për udhëtimin, nga të cilat Bill mbajti 7.500 paund. Ata hipnin në varkë natën. Kur mbërrinin pranë Brightlingsea, prisnin derisa të binte nata për të zbarkuar. Gjatë 3 viteve që pasuan, Bill kontrabandoi mbi 100 burra në Britani dhe fitoi shumë para.
Ai dhe Caroline patën 2 vajza. Bill thotë se nuk ndihej kurrë më i lirë se kur trafikonte njerëz përmes Kanalit. Por shumë shpejt gjërat do të shkonin keq. Varka duhej të zëvendësohej me një varkë të shpejtë. Pastaj disa emigrantë zbarkuan në breg ditën dhe burrat që banonin në Brightlingsea i thanë Bill se nuk ishte më i mirëpritur.
Ai u largua nga andej dhe hapi një kompani të re ndërtimi. Por në vitin 2018, Bill dhe partneri i tij në biznes kishin mungesë të parave, ndaj u lidh sërish me Artanin për të vazhduar trafikimin. Udhëtimi do të ishte edhe i fundit për Bill. Ai puthi Caroline dhe 2 vajzat në orën 16:00 të datës 2 gusht 2018 dhe më pas u nis me makinë për në Whitstable. Në orën 18:00, Bill e futi varkën në ujë, ndërsa partneri i tij e çoi rimorkion në Deal, Kent. Pasi perëndoi dielli, Bill u kthye në det dhe u nis për në Gravelines. I vetëm, pa prozhektor me vetë, po udhëtonte me shpejtësi 19 nyje ndërsa kushtet në det ishin të përballueshme. Rreth orës 23:00, ai zbarkoi në Gravelines. Katër burra vietnamezë hipën në bordin e barkës. Batica i çoi ata sërish drejt Anglisë. Mbërritën në Deal pas mesnate dhe partneri i Bill i mori emigrantët për t’i larguar nga aty. Tani i duhej vetëm të ngarkonte varkën në rimorkio dhe të kthehej në shtëpi. Në një moment ndezi një cigare për të qetësuar nervat. Pikërisht në atë moment dëgjoi britmat e policisë.
Në burg, Bill reflektonte shpesh se pse u bë një trafikant emigrantësh. Fitimet ishin të mira, por më shumë e nxiti ndjenja e lirisë dhe aventurës, Bill ndjeu se ushtria e zhgënjeu, por ndjekja e misioneve të tij sekrete nëpër Kanal përmbushi të njëjtën nevojë për të pasur një qëllim në jetë.
Njerëzit që kontrabandonte Bill ishin pothuajse të gjithë të rinj. Ai beson se shumica ishin emigrantë ekonomikë, të vendosur për të gjetur me çdo kusht një jetë më të mirë. Ai është krenar që ka përdorur gjithmonë varkën e duhur duke rrezikuar jetën së bashku me emigrantët.
Ndoshta në këtë mënyrë Bill njohu trimërinë dhe dëshirën për aventura te të rinjtë që solli në Britani. Tani Bill është jashtë këtij biznesi ilegal. Dënimi i kushtoi atij disa vite burg dhe e dëmtoi familjen e tij. Por Bill e di se trafikimi i emigrantëve të paligjshëm nuk do të zhduket.
Sepse fitimet janë shumë të mira, dhe të dëbuarit paguajnë për t’u rikthyer në Britani. Pa një flotë varkash të vogla që patrullojnë Kanalin apo pa më pak mundësi për emigrantët e paligjshëm në Britani, biznesi i kontrabandës nuk do të përfundojë kurrë. /albeu.com
Shënim:David Shipley, është një producent filmash. Ai u takua me Bill gjatë qëndrimit të këtij të fundit burg.