Me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka përcjellë urimet e tij SHBA-së, ndërsa ka shprehur edhe mirënjohje për mbështetjen amerikane ndaj Kievit në luftën kundër Rusisë.
Të lidhura
None found
Në një postim të bërë në Telegram, Zelensky e përshkroi këtë përvjetor si një çast historik që mishëron vlerat e lirisë dhe të pavarësisë.
“Sot shënohet 250-vjetori i një prej ëndrrave më të ndritura, më të forta dhe më me ndikim të njerëzimit: ëndrra amerikane për një vend të pavarur, të lirë dhe të begatë, që mbron lirinë, besimin dhe kërkimin e lumturisë”, shkroi presidenti ukrainas.
Teksa iu referua luftës në Ukrainë, ai falënderoi SHBA-në për ndihmën e pandërprerë dhe nënvizoi se Kievi vazhdon të ketë nevojë për sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga sulmet ruse.
Njëkohësisht, Zelensky përsëriti kërkesën për furnizimin e Ukrainës me këto sisteme të mbrojtjes ajrore.
“Kur i drejtohemi Amerikës për sistemet Patriot, besojmë se vlerat e respektit për jetën dhe njerëzit, që frymëzuan kombin amerikan 250 vjet më parë, do të udhëheqin edhe vendimet e sotme. Bota ka nevojë për një lidership që garanton mbrojtjen e lirisë dhe jetës”, u shpreh ai.
Në mbyllje të mesazhit, Zelensky uroi qytetarët amerikanë për 4 Korrikun, duke shtuar: “Amerikë, faleminderit. Jam i bindur se, nëse qëndrojmë së bashku, do ta arrijmë paqen.”
