PS e bëri me patronazhist, reagon për herë të parë Emanuel Egbo: Shaka është kjo?!

Emanuel Egbo e konsideron një nga gjërat më të çuditshme dhe të paimagjinueshme çështjen e patronazhistëve. I kontaktuar , Egbo është habitur me atë që i është servirur nga gazeta për çështjen e “spiunazhit” të partive politike.

“Kam shumë kohë pa lexuar gazetat. Më sqaro çfarë është patronazhisti?”, thotë në fillim ai. Kur i sqarojmë çëshjen dhe i japim faktet, Egbo mbetet i befasuar.

“Nuk di fare për çfarë po flet. Kjo është shaka apo seriozisht e keni? Kush është ky Alban Arapi? Unë nuk e di kush është. Qenka një histori e çuditshme”, deklaroi ishtrajneri i Tiranës. Nigeriani ka mbetur i befasuar prej situatës në Shqipëri.

Ai jeton prej dy dekadash në Shqipëri, duke përfituar edhe shtetësinë shqiptare, por nuk i ka shpëtuar lojës më të re dhe “trendy” aktualisht në vendin tonë, asaj të patronazhit.

Nga lista e të dhënave që janë bërë publike prej ditësh, mësohet se edhe ish-portieri dhe trajneri nigerian i Tiranës, Ndubuisi Emanuel Egbo, ka një patronazhist te PS-ja që e survejon në përditshmërinë e tij.

Nga baza e të dhënave që janë bërë publike del se patronazhisti i Egbosë është Alban Arapi, një emër që në pamje të parë nuk lë të kuptosh për ndonjë lidhje me sportin apo klubin e futbollit Tirana, që është edhe emri i punëdhënësit. /panorama

Shtuar 24.04.2021 08:04