Prokurori Bledar Maksuti u shkarkua për pasurinë e babait të ndjerë, Xhafaj e pranon: Mund të bëhen gabime

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj komentoi në “Log.” në ABC, reformën në Drejtësi duke thënë se është një proces i gjatë dhe i arrirë. Ndërkohë Xhafaj u pyet lidhur me shkarkimin e Prokurorit Bledar Maksuti nga ana e KPK edhe pse nuk kishin gjetur asnjë shkelje gjatë vlerësimit të aftësive profesionale apo kontrollit të figurës, madje as tek pasuria e tij personale.

Ish kreu i Komisioni të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, ka pranuar se trupa e gjykimit mund të ketë bërë gabim për rastin në fjalë, por edhe për raste të tjera. Megjithatë sipas tij kjo nuk do të thotë se procesi i vettingut ka dështuar.

Xhafaj: Edhe një herë. Nuk e di as rastin e këtij as për zotin Maksuti dhe as për Dvoranin. Nuk jam për ti gjykuar. Unë nuk e njoh. Se duhet të lexosh një dosje. E them që mund të ketë raste të veçanta që në gjykimin tim apo të dikujt tjetër nuk është vepruar në mënyrën e duhur. Qoftë kur janë konfirmuar qoftë edhe kur nuk janë konfirmuar në detyrë. Por e para edhe gabime mund të ketë. Është normale në të gjithë këtë proces vlerësimi. Pa dyshim që ka edhe të tilla raste dhe nuk mund ta mohoj. Por janë të veçanta dhe sporadike sa nuk e prishin imazhin e atij procesi dhe vërtetësinë apo kredibilitetin. Se mund të ketë një e dy raste nuk mund ta barazojmë të gjithë Reformën. Edhe ata që gjykojnë mund të ketë në raste të veçanta gjykime subjektive. Por aty kalohet në tre shkallë, e komisionit të posaçëm, i monitorimit dhe KPA. Janë tre shkallë vlerësimi. Nëse në këto tre shkallë vendoset një lloj. Nëse do kemi dy tre gabime nuk e përgjithësojmë të gjithë procesin.”

KPK nuk ka gjetur asnjë shkelje gjatë vlerësimit të aftësive profesionale apo kontrollit të figurës, madje as tek pasuria e tij, por në fund ka vendosur për shkarkimin e prokurorit Bledar Maksuti. Vendimi u shpall më 14 prill, ndërsa më parë Maksuti ishte në seancë dëgjimore para KPK-së kur ndër të tjera u tha se në fakt, nuk ishte bërë vlerësimi i pasurisë së tij, por të babait të ndjerë, i cili ka punuar si avokat.

KPK theksoi se ka gjetur dy mospërputhje në deklarimin e pasurisë së familjes së prokurorit, pasi i jetonte me babain, gjë që duket se ka mjaftuar për të dhënë një vendim kundër tij.

Maksuti ishte prokurori që zbuloi në kohë rekord vrasësit e Behar Sofisë një muaj më parë, e cila u krye në mes të kryeqytetit.


Shtuar 20.04.2021 11:42