Procesi i primareve të organizuara ditën e sotme nga PD duket se ka shërbyer për të thelluar ndarjen tashmë të njohur midis drejtuesit politik të këtij qarku, Gazmend Bardhi dhe ish-drejtuesit Luan Baçi. Burime të sigurta bëjnë më dije se procesi i zgjedhjeve në selinë e PD, që ndodhet në një godinë përballë teatrit Bylis, është shoqëruar me përplasje të ashpra midis të dyve.
Sherri ka nisur më herët përpara selisë së PD në sytë e shumë anëtarëve dhe mbështetësve që ishin aty për të votuar dhe më pas Bardhi dhe Baçi janë futur brenda selisë ku janë mbyllur në një mjedis që shërben për mbledhjet e partisë dhe kanë vijuar përplasjen me tone të larta. Në debat është përfshirë edhe nënkryetari i PD, Gentian Koçi, i cili prej kohësh është pozicionuar në krah të Bardhit dhe kundër Luan Baçit.
Të njëjta burime të besueshme thanë se përplasja ka ndodhur për shkak se Luan Baçi ka kërkuar që në procesin e primareve të marrin pjesë edhe anëtarët që janë regjistruar në parti pas vitit 2021, ndërsa Bardhi e ka kundërshtuar me forcë këtë gjë. Më tej Gazmend Bardhi ka pasur një përplasje edhe me Komisionin e votimit, të cilët i akuzon se janë njerëz të vendosur nga Luan Baçi
Të dyja grupet rivale ndodhen Brenda selisë së PD, por nuk është e qartë nëse procesi I votimit vijon, apo është i bllokuar.
Në degën e PD Fier janë të regjistruar rreth 7 mijë anëtarë partie, por pjesëmarrja në procesin e primareve deri në orët e drekes ishte shumë e ulët në të gjithë qarkun.