Altin Dumani, prokurori që u zgjedh në krye të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është prezantuar ditën e sotme para stafit.
Në ceremoni ka qenë i pranishëm edhe kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfres Balla.
Në një komunikim për mediat, Dumani u shpreh: “Ky besim i dhënë më bën të angazhohem maksimalisht. Falënderoj kolegët e mi për garë dinjitoz dhe vlerat që përfaqësojnë, një falënderim edhe për zotin Kraja i cili pati barrën për të përballuar sfidat e këtij institucioni. Për secilin prej nesh këto 3 vite kanë qenë të vështira, por secili ka pasur kontribute. Tashmë SPAK duhet të kalojë në një fazë tjetër të luftës kundër korrupsionit. Në këto 3 vite kemi fituar eksperienvë, të gjithë bashkë të demonstrojmë se do të bashkëpunojmë dhe përmes punës tonë të përballojmë sfidat që na presin”, tha ai.
Kush është kreu i ri i SPAK?
Altin Dumani njihet si një nga prokurorët që ka hetuar dosjet më të nxehta në Shqipëri. Një prej dosjeve më voluminoze dhe të bujshme ishte edhe ajo e operacionit të koduar “Golden Bullet”, “Plumbi i artë”, pas arrestimit të dy vrasësve me pagesë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha.
Nga ky operacion u lëshuan 32 urdhër arreste ndërsa u arrestuan 9 prej tyre. Ndërsa 18 të tjerë, mes të cilëve emra të bujshëm të botës së krimit, si Ervis Martinaj, Talo Çela e Florenc Çapja, por edhe një avokat, janë shpallur në kërkim. Katër nga grupet kriminale operonin në Elbasan, një në Durrës dhe tre të tjerë në Tiranë.
Altin Dumani njihet edhe si prokurori i SPAK që udhëhoqi operacionin që çoi në pranga 13 persona mes të cilëve edhe gjyqtaren e Gjykatës së Krujes Enkeleda Hoxha që lironte të fortët nga qelia. Ai është lindur në Shupenzë të Dibrës. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë./albeu.com