Prezantohen si policë, biznesmenit turk i vjedhin 50 mijë euro

Një grabitje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kosovë në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku një shtetasi turk i është grabitur një çantë dore me rreth 50 mijë euro, një iPhone dhe patentën.

Sipas njoftimit të policisë, dy persona rreth moshës 30-35 vjeçare kanë ndaluar shtetasin turk në autostradë duke u paraqitur si oficer policie dhe kanë kërkuar të bëjnë kontrollin e mjetit.

Njoftimi i policisë

“Me datë 27.04.2022 rreth orës 20:55 ne Stacionin Policor-Malishevë është paraqitur tani  viktima shtetas turk, drejtor i një poliklinike në Prishtinë, duke theksuar se rreth orës 18:00 me veturën e tij me tabela te Shqipërisë ishte duke qarkulluar në Autostradën ,,Ibrahim Rugova’’ nga drejtimi Prishtinës në drejtim të Prizrenit.  Të njëjtin në zonën e Malishevës e kanë ndaluar dy persona të moshës 30-35 vjeçare, që ishin me veturë dhe njëri ishte prezantuar si polic.  Të njëjtit kanë kontrolluar veturën dhe nga vendi ( nen ulëse) i kanë marrë një qantë dore  qe brenda saj kishte rreth 40 – 50 mijë Euro para, një telefon IPHON  dhe librezën e veturës.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas deklaratës së viktimës, të dyshuarit kanë pasur edhe armë me vete por që nuk e kanë përdorur.

“Viktima deklaron se tek te dyshuarit kishte vërejtur se mbanin armë ne brez, por qe nuk i kishin nxjerr nga brezi. Pas kryerjes se grabitjes te dyshuarit me veturën e tyre janë larguar ne drejtim të Prizrenit.  Hetimet në vijimësi”, thuhet në njoftim./albeu.com